Përshkallëzimi i protestave gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar dëme materiale edhe në infrastrukturën bankare, duke prekur disa degë dhe bankomate (ATM), ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bankave janë detyruar të kufizojnë përkohësisht aktivitetin në degët fizike. Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) konfirmon se, për shkak të situatës së sigurisë, disa institucione bankare kanë operuar me numër të reduktuar degësh ose me orare të kufizuara, çka ka sjellë vështirësi në ofrimin e shërbimeve për klientët.
Në një deklaratë për shtyp, AAB thekson se dëmet e shkaktuara janë materiale dhe nuk cenojnë depozitat e qytetarëve apo funksionimin e sektorit bankar. Shoqata u bën thirrje klientëve të përdorin shërbimet bankare digjitale dhe të verifikojnë njoftimet zyrtare përpara se të paraqiten në degë. Njëkohësisht, ajo apelon që infrastruktura bankare dhe financiare të mos bëhet objekt sulmesh gjatë protestave, duke nënvizuar rëndësinë e saj për funksionimin e ekonomisë, biznesit dhe shërbimeve financiare për qytetarët.
Në vijim deklarata e plotë e Shoqatës Shqiptare të Bankave:
DEKLARATË PËR SHTYP
Veprimtaria bankare dhe protesta
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.
Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar. Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.
Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.
AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.
Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.
Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.
SHOQATA SHQIPTARE E BANKAVE
