Transporti publik në Tiranë është pezulluar përkohësisht, pas përshkallëzimit të protestave dhe bllokimit të rrugëve dhe akseve kryesore nga protestuesit, duke paralizuar lëvizjen në disa zona të kryeqytetit.
Bllokimet e qarkullimit, veçanërisht në zonat qendrore të Tiranës, kanë bërë të pamundur vijimin normal të shërbimit të transportit urban, ndërsa situata është rënduar edhe nga sulmet ndaj mjeteve të transportit publik.
Një pjesë e autobusëve janë sulmuar dhe dëmtuar nga protestuesit, duke krijuar rrezik për sigurinë e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.
Burime nga shoqatat e transportit publik i thanë Ekofin.al se shërbimi urban në Tiranë do të qëndrojë i pezulluar deri në normalizimin e situatës dhe krijimin e kushteve të sigurta për rifillimin e qarkullimit.

Pezullimi i transportit publik pritet të sjellë vështirësi të konsiderueshme për mijëra qytetarë që përdorin çdo ditë linjat urbane për të shkuar në punë, shkollë apo për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme.
Ndërprerja e shërbimit vjen në një kohë kur protestat kanë shkaktuar probleme serioze në lëvizjen e automjeteve, ndërsa bllokimi i akseve kryesore ka kufizuar ndjeshëm mundësitë e qarkullimit në kryeqytet.
Situata po ndikon gjithashtu në aktivitetin ekonomik të Tiranës, ku krahas kufizimeve në transport, një numër institucionesh financiare kanë njoftuar mbylljen e degëve fizike ose reduktimin e orarit të shërbimit për arsye sigurie.
Për momentin, nuk ka një afat të përcaktuar për rifillimin e transportit urban. Sipas burimeve nga sektori, rikthimi i autobusëve në qarkullim do të varet nga normalizimi i situatës në rrugët e kryeqytetit dhe garantimi i sigurisë për mjetet, punonjësit dhe pasagjerët. /ekofin.al

