Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimet e shkaktuara ndaj degëve bankare dhe objekteve financiare gjatë protestave të fundit në Tiranë, duke paralajmëruar se incidente të tilla rrezikojnë sigurinë e punonjësve dhe klientëve, si dhe vijimësinë normale të shërbimeve bankare.
Reagimi vjen pas përshkallëzimit të protestave në kryeqytet gjatë dy ditëve të fundit, të cilat janë shoqëruar me akte dhune, dëmtime të pronës private dhe goditje ndaj aktiviteteve tregtare e institucioneve financiare.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata Shqiptare e Bankave thekson se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur lirisht qëndrimet është një e drejtë themelore që duhet respektuar, por ushtrimi i saj duhet të bëhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin.
“Aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj degëve bankare dhe objekteve financiare janë të papranueshme dhe krijojnë shqetësime për sigurinë e punonjësve e të klientëve, si dhe për vijimësinë normale të shërbimeve bankare”, thuhet në reagimin e AAB-së.
Shoqata u bën thirrje pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo veprim të dhunshëm, ndërsa kërkon nga institucionet përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë publike.
Një mesazh i veçantë u drejtohet klientëve të bankave, të cilët sigurohen se marrëdhëniet e tyre me institucionet financiare mbeten të pacenuara, pavarësisht situatës së krijuar.
“Sektori bankar siguron klientët se marrëdhënia e tyre me bankën mbetet e pacenuar dhe e sigurt, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura”, thekson Shoqata Shqiptare e Bankave.
Ky reagim merr rëndësi të veçantë në kushtet kur situata e sigurisë ka detyruar disa institucione financiare të marrin masa parandaluese, përfshirë njoftimet për mbylljen e përkohshme të degëve fizike dhe orientimin e klientëve drejt përdorimit të kanaleve digjitale për kryerjen e veprimeve bankare.
Përtej dëmeve materiale, incidentet ndaj institucioneve financiare ngrenë shqetësime edhe për garantimin e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet bankare, veçanërisht në zonat ku aktiviteti fizik i degëve mund të kufizohet për arsye sigurie.
Shoqata Shqiptare e Bankave nënvizon se mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve bankare janë elemente thelbësore që duhet të sigurohen në çdo rrethanë.
