Qeveria ka miratuar rregulla të reja për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve mjekësore të posaçme, ku do të trajtohen personat me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale, si dhe të paraburgosurit apo të dënuarit që shfaqin probleme të shëndetit mendor gjatë qëndrimit në institucionet penitenciare.
Vendimi përcakton krijimin e institucioneve të specializuara shëndetësore, të cilat do të funksionojnë nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa siguria dhe ruajtja e tyre do të garantohen nga Policia e Burgjeve.
Sipas vendimit, këto institucione do të shërbejnë për trajtimin, rehabilitimin dhe mbikëqyrjen e personave ndaj të cilëve gjykatat kanë vendosur masa mjekësore, duke synuar njëkohësisht garantimin e sigurisë publike dhe respektimin e të drejtave të pacientëve.
Në këto struktura do të pranohen tri kategori personash: individët me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale dhe për të cilët gjykata ka vendosur mjekim të detyruar; të paraburgosurit ose të dënuarit që zhvillojnë çrregullime të shëndetit mendor gjatë periudhës së izolimit dhe transferohen me vendim gjykate; si dhe personat për të cilët është vendosur shtrimi i përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm, sipas Kodit të Procedurës Penale.
Ngritja e këtyre institucioneve do të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, në bashkërendim me ministrin e Drejtësisë.
Numri i institucioneve, vendndodhja dhe kapaciteti i shtretërve do të përcaktohen në bazë të një harte kombëtare të nevojave, e cila do të hartohet nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
Në përcaktimin e kapaciteteve do të merret parasysh numri aktual dhe i parashikuar i personave që u nënshtrohen masave mjekësore të vendosura nga gjykatat, shpërndarja gjeografike e burgjeve dhe gjykatave, si dhe afërsia me shërbimet e specializuara mjekësore dhe familjarët e pacientëve.
Vendimi parashikon që infrastruktura e këtyre institucioneve të ndërtohet ose të përshtatet sipas standardeve të posaçme, duke kombinuar kërkesat për trajtim shëndetësor me ato të sigurisë.
Çdo institucion do të drejtohet nga një drejtor, i emëruar nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, i përzgjedhur ndër specialistët me përvojë në psikiatri ose administrim shëndetësor.
Struktura organizative do të përfshijë ekipe multidisiplinare, me profesionistë të shëndetit mendor, shërbimeve psikosociale dhe rehabilitimit, si dhe personel administrativ e mbështetës.
Një nga elementet kryesore të vendimit lidhet me masat e sigurisë që do të zbatohen brenda dhe jashtë këtyre institucioneve.
Ruajtja e jashtme dhe funksionet e sigurisë do të realizohen nga Policia e Burgjeve, nëpërmjet ekipeve të posaçme, në bashkëpunim me drejtuesit e institucioneve shëndetësore.
Institucionet do të pajisen me sisteme rrethimi, kontroll të hyrjeve dhe daljeve, si dhe kamera të mbikëqyrjes në ambientet e përbashkëta, duke respektuar privatësinë e pacientëve në hapësirat e kujdesit personal.
Gjithashtu, do të vendosen procedura të posaçme për pranimin, transferimin dhe daljen e pacientëve, regjistrimin e incidenteve, dokumentimin e rasteve të kufizimit fizik dhe administrimin e ankesave.
Vendimi kërkon edhe krijimin e regjistrave për rastet e dyshuara të keqtrajtimit të pacientëve, në përputhje me Protokollin e Stambollit.
Masat e sigurisë do të përcaktohen në varësi të nivelit të rrezikut të çdo pacienti, i cili do të klasifikohet si i lartë, i mesëm ose i ulët, bazuar në vlerësimin e ekipit multidisiplinar.
Klasifikimi nuk do të jetë përfundimtar, pasi gjendja dhe niveli i rrezikut do të rivlerësohen periodikisht, sipas protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Në rastet kur pacientët duhet të transferohen jashtë institucionit për trajtim mjekësor, pjesëmarrje në seanca gjyqësore apo arsye të tjera të parashikuara nga ligji, shoqërimi dhe garantimi i sigurisë do të kryhen nga Policia e Burgjeve, në bashkëpunim me personelin mjekësor.
Policia e Shtetit do të ofrojë asistencë kur kjo parashikohet nga legjislacioni ose kur kërkohet mbështetje operacionale.
Një dispozitë e veçantë ndalon përdorimin e masave të sigurisë si formë ndëshkimi ndaj pacientëve. Çdo kufizim duhet të jetë proporcional me rrezikun e vlerësuar dhe të dokumentohet në dosjen individuale.
Pranimi në këto institucione do të bëhet vetëm në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë ose të një urdhri të gjykatës, sipas rasteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.
Për çdo pacient do të krijohet një dosje klinike dhe një dosje sigurie, ku do të përfshihen vendimi gjyqësor, ekspertimi psikiatriko-mjekoligjor, dokumentacioni mbështetës dhe vlerësimi fillestar i rrezikshmërisë.
Personave të shtruar do t’u garantohet trajtim shëndetësor dhe rehabilitim pa diskriminim për shkak të statusit të tyre juridik. Për secilin do të hartohet një plan individual trajtimi, i cili do të rishikohet periodikisht në varësi të gjendjes shëndetësore.
Sa i përket financimit, vendimi përcakton se institucionet mjekësore të posaçme do të mbështeten nga buxheti i shtetit, por mund të përfitojnë edhe nga burime të tjera të ligjshme, përfshirë ndihmën e huaj.
Personeli që do të punësohet në këto struktura do të përfitojë paga, shtesa mbi pagë dhe përfitime të tjera financiare, sipas rregullave që zbatohen për punonjësit e sektorit publik dhe akteve të posaçme për këtë kategori.
Megjithatë, vendimi nuk përcakton numrin konkret të institucioneve që do të ngrihen, qytetet ku do të vendosen, kapacitetin total të shtretërve apo fondin buxhetor që do të nevojitet për ndërtimin, përshtatjen dhe funksionimin e tyre.
Këto elemente do të varen nga vlerësimi i nevojave dhe aktet e mëtejshme zbatuese të institucioneve përgjegjëse./ekofin.al
