Bashkia Vorë ka shpallur garën për rikonstruksionin e rrugës dytësore përgjatë autostradës, e njohur ndryshe si Rruga Industriale. Fondi limit për këtë investim është 237 milionë e 131 mijë lekë.
Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky segment ka një gjatësi totale prej rreth 3883 ml, është një ndër akset më kryesore të Vorës duke përballuar një fluks trafiku të konsiderueshëm të makinave, me një dendësi të lartë të banorëve dhe bizneseve të rëndësisë së lartë që kanë akses në këtë segment rrugor. Përgjatë rrugës janë të përqendruara banesa dhe biznese të shumta, të cilat e përdorin këtë aks për lëvizjen e përditshme dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik.
Aktualisht, rruga paraqitet në gjendje të amortizuar, me dëmtime të shtresave asfaltike dhe gropa në pjesë të ndryshme të saj. Probleme evidentohen edhe në trotuare, të cilat, sipas dokumentacionit teknik, janë dëmtuar nga mungesa e mirëmbajtjes dhe kushtet atmosferike. Kjo gjendje vështirëson qarkullimin dhe shton rrezikun për drejtuesit e automjeteve.
Në dokument theksohet se parashikohen ndërhyrje në shtresat asfaltike, riparimi i pjesëve të dëmtuara, përmirësimin e sinjalistikës dhe sistemimi i kunetave. Në projekt janë përfshirë gjithashtu rregullimi i sistemit të ujërave të shiut, ndriçimi rrugor dhe gjelbërim.
Sipas argumentimit të paraqitur në dokumentacion, ndërhyrja bëhet e nevojshme edhe për shkak të rritjes së popullsisë dhe zhvillimit ekonomik të Vorës gjatë viteve të fundit, faktorë që kanë sjellë shtim të numrit të automjeteve dhe të intensitetit të trafikut. Për këtë arsye, përmirësimi i infrastrukturës rrugore shihet si një ndërhyrje e rëndësishme për të lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe për të garantuar akses më të mirë drejt rrugëve kryesore.
Investimi do të financohet nga fondet e Bashkisë Vorë dhe synohet përmirësimi i kushteve të qarkullimit në këtë aks, rritja e sigurisë për përdoruesit e rrugës dhe krijimi i kushteve më të përshtatshme për banorët dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë Rrugës Industriale./Scantv
