Çmimi i naftës në Shqipëri ka shënuar një tjetër rritje, duke arritur në 219 lekë për litër. Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të martë, më 13 tetor 2026, çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës (gazoil) do të jetë 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 207 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi maksimal i benzinës është përcaktuar në 196 lekë për litër për shitjen me pakicë dhe 184 lekë për litër për shitjen me shumicë.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 13 tetor, në orën 14:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës.
Vendimi është marrë në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026, për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, si dhe kuadrit ligjor që rregullon tregtimin e karburanteve.
Bordi i Transparencës u ka rikujtuar të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë detyrimin për respektimin e çmimeve të përcaktuara. Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj subjekteve që nuk zbatojnë vendimin do të merret masa e pezullimit të aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Rritja e çmimeve të karburanteve rëndon kostot e transportit për qytetarët dhe bizneset, ndërsa mund të ndikojë edhe në kostot e shpërndarjes së mallrave dhe shërbimeve./ekofin.al
