Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka hapur një thirrje ndërkombëtare për shprehje interesi nga investitorë dhe subjekte private që synojnë të zhvillojnë projekte në partneritet me institucionin shtetëror. Në këtë proces mund të përfshihen biznese ekzistuese, startup-e, persona fizikë, universitete dhe institucione kërkimore, ndërsa sektorët prioritarë, fondet që do të vihen në dispozicion dhe vlerat minimale të investimeve do të përcaktohen në një fazë të dytë.
Thirrja synon identifikimin e projekteve të mundshme për investim dhe vlerësimin paraprak të kapaciteteve të partnerëve privatë që kërkojnë bashkëpunim me Korporatën.
Sipas dokumentit zyrtar, të konsultuar nga ekofin.al, Korporata do të marrë rolin e bashkëzhvilluesit ose zhvilluesit të projektit, duke krijuar mundësinë e përfshirjes së saj në struktura investimi së bashku me kapitalin privat.
Ndryshe nga një thirrje tradicionale financimi, në këtë rast institucioni nuk ka përcaktuar ende shumën e fondeve që do të angazhojë, sektorët ku do të përqendrohen investimet apo numrin e projekteve që synon të mbështesë.
Këto elemente do të përcaktohen pas identifikimit të interesit të tregut.
Fillimisht interesi i investitorëve, më pas fondet
Një nga karakteristikat kryesore të procedurës është ndarja e saj në dy etapa publikimi.
Në etapën e parë, e cila tashmë është hapur, subjektet e interesuara mund të paraqesin propozime për çdo lloj projekti investimi, pa kufizime të paracaktuara sektoriale.
Në etapën e dytë, Korporata do të shpallë fushat prioritare, kategoritë e projekteve, kriteret e përzgjedhjes, pragjet financiare dhe fondin e disponueshëm.
Dokumenti shpjegon se kjo mënyrë organizimi synon të shmangë angazhimin paraprak të fondeve në projekte për të cilat nuk ekziston interes i mjaftueshëm nga investitorët.
Në këtë mënyrë, institucioni kërkon të krijojë fillimisht një panoramë të kërkesës reale për bashkëinvestime, përpara se të përcaktojë orientimin konkret të kapitalit.
Megjithatë, kjo qasje nënkupton se investitorët që paraqesin interes në fazën e parë nuk kanë ende informacion mbi shumën e financimit që mund të sigurojnë, përqindjen e pjesëmarrjes së Korporatës apo sektorët që do të kenë përparësi.
Mundësi për bizneset ekzistuese dhe startup-et
Thirrja është e hapur për një kategori të gjerë subjektesh.
Përveç kompanive që kërkojnë zhvillimin e projekteve të reja, mund të aplikojnë edhe shoqëri tregtare që synojnë shitjen e aksioneve ose kuotave, apo hyrjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare në kapitalin e tyre.
Kjo krijon mundësinë që partneriteti të realizohet jo vetëm përmes zhvillimit të një investimi të ri, por edhe përmes pjesëmarrjes së Korporatës në kapitalin e një biznesi ekzistues.
Një kategori tjetër janë startup-et, të cilat mund të paraqesin projekte për zhvillimin e produkteve ose shërbimeve inovative.
Në thirrje përfshihen gjithashtu universitetet dhe institucionet kërkimore që kërkojnë partnerë për shfrytëzimin ekonomik të rezultateve të kërkimit shkencor.
Për qëllime vlerësimi, aplikantët do të ndahen në dy kategori: subjekte me aktivitet ekzistues dhe subjekte me aktivitet të ri.
Kjo ndarje do të ndikojë në kriteret e kualifikimit që do të zbatohen për secilin grup.
Si do të përzgjidhen projektet?
Procedura e investimeve do të zhvillohet në tri faza.
Faza e parë përfshin shprehjen e interesit, kualifikimin e kandidatëve dhe krijimin e një liste të gjatë dhe një liste të shkurtër projektesh.
Në fazën e dytë, kandidatët e përzgjedhur do të ftohen të paraqesin propozime të detajuara, të cilat do t’i nënshtrohen vlerësimit të investimit.
Faza e tretë përfshin negociatat dhe lidhjen e marrëveshjes për projektet që marrin miratimin përfundimtar.
Përzgjedhja do të mbështetet në kritere që lidhen me cilësinë e konceptit të investimit, kapacitetet e aplikantit dhe kontributin e projektit në objektivat e Korporatës.
Në njoftimin e dytë do të përcaktohen edhe disa tregues konkretë, përfshirë madhësinë minimale të investimit, të ardhurat minimale vjetore, numrin minimal të vendeve të punës, përvojën në sektor dhe kapitalin që duhet të kontribuojë vetë investitori.
Një element i rëndësishëm është raporti ndërmjet kapitalit të vet që ofron investitori dhe pjesëmarrjes që kërkon nga Korporata.
Në rast se pas zbatimit të kritereve të tjera numri i projekteve mbetet më i madh se numri i synuar, ky raport do të përdoret si kriter përfundimtar renditjeje, duke favorizuar projektet me raport më të lartë të kontributit privat ndaj pjesëmarrjes së kërkuar nga Korporata.
Kontrolle për pronësinë dhe detyrimet financiare
Korporata ka përcaktuar edhe një sërë kriteresh për integritetin dhe gjendjen ligjore të aplikantëve.
Subjektet duhet të deklarojnë strukturën e pronësisë, pronarët përfitues, përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe doganore, si dhe ekzistencën e çështjeve gjyqësore apo konflikteve të mundshme të interesit.
Nuk do të kualifikohen subjektet që ndodhen në procedura falimenti ose likuidimi, kanë detyrime të papaguara e të pakontestuara, nuk kanë deklaruar pronarët përfitues ose janë subjekt i masave kufizuese ndërkombëtare.
Përjashtimi zbatohet edhe në rastet e dënimeve për korrupsion, mashtrim, pastrim parash apo financim terrorizmi.
Në fazën fillestare, pjesa më e madhe e kritereve do të përmbushet përmes vetëdeklarimit, ndërsa dokumentacioni i plotë verifikues do të kërkohet vetëm nga kandidatët që kalojnë në listën e shkurtër.
Afati mbetet i hapur, të paktën 25 ditë pas njoftimit të dytë
Aktualisht, thirrja nuk ka një datë përfundimtare aplikimi.
Shprehjet e interesit mund të dorëzohen në çdo kohë, derisa njoftimi të revokohet ose të zëvendësohet.
Pas publikimit të njoftimit të dytë, afati i aplikimit nuk mund të jetë më i shkurtër se 25 ditë kalendarike, për shkak të karakterit ndërkombëtar të procedurës.
Subjektet që aplikojnë përpara njoftimit të dytë do të përfshihen në grupin e parë të shqyrtimit dhe do të kenë mundësi të plotësojnë ose përshtatin dokumentacionin e tyre sipas kritereve të reja.
Megjithatë, data e paraqitjes së interesit nuk do të krijojë avantazh në renditje.
Aplikimet mund të dorëzohen elektronikisht në adresën [email protected], ose fizikisht pranë Korporatës së Investimeve Shqiptare, në Rrugën Ibrahim Rugova, Sky Tower, Tiranë.
Bashkëinvestimet, ende pa një faturë financiare
Hapja e kësaj procedure përfaqëson një përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet kapitalit publik dhe atij privat në zhvillimin e projekteve të investimit.
Megjithatë, në këtë fazë nuk ka ende një angazhim financiar konkret të publikuar nga Korporata.
Mbetet për t’u parë se cilët sektorë do të konsiderohen prioritarë, sa projekte do të përzgjidhen dhe çfarë peshe do të ketë kapitali shtetëror në strukturën e investimeve.
Një tjetër element që do të kërkojë vëmendje është transparenca e përzgjedhjes. Sipas dokumentit, Korporata duhet të publikojë brenda 10 ditëve nga mbyllja e secilës fazë të dhëna mbi interesin e regjistruar dhe rezultatet e procesit, duke respektuar kufizimet për sekretin tregtar dhe konfidencialitetin.
Ndërkohë, paraqitja e një projekti, madje edhe përfshirja e tij në listën e shkurtër, nuk garanton financim apo lidhjen e një marrëveshjeje.
Korporata rezervon të drejtën të mos vijojë me një projekt në rast se nuk sigurohen fondet e nevojshme, investimi rezulton i parealizueshëm ose nuk përputhet me interesat e saj.
Për rrjedhojë, ndikimi real i kësaj nisme në ekonomi do të varet nga fondet që do të mobilizohen, kapitali privat që do të tërhiqet dhe aftësia për t’i kthyer propozimet e investimit në projekte konkrete. /ekofin.al
