Një investim prej rreth 8.5 milionë eurosh është parashikuar për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemit të kanalizimeve në Jalë, një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të rivierës shqiptare. Projekti synon t’i japë zgjidhje një prej problemeve më të rëndësishme infrastrukturore të zonës, ku zhvillimi i shpejtë i turizmit nuk është shoqëruar me zgjerimin e nevojshëm të rrjetit të kanalizimeve.
Ujësjellësi i Vlorës ka hapur sot procedurën e prokurimit për objektin “Ndërtim Montim Impiant i Trajtimit të Ujërave të Ndotura dhe sistemi KUZ, Jalë”, me fond limit prej 778.7 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 8.49 milionë euro.
Sipas dokumenteve të tenderit, të konsultuara nga ekofin.al, procedura është e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, ndërsa afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 11 nëntor 2026.
Një impiant i ri dhe tre stacione pompimi
Projekti parashikon ndërtimin e një sistemi të centralizuar për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura në zonën turistike të Jalës, pjesë e Bashkisë Himarë. Sipas raportit teknik të hartuar në qershor 2025, investimi përfshin një rrjet të ri kanalizimesh, tre stacione pompimi dhe një impiant modern për trajtimin e ujërave të ndotura.

Infrastruktura është projektuar për një kapacitet fillestar prej 6,100 banorësh dhe një kapacitet përfundimtar prej 8,387 banorësh, sipas vlerësimeve të përdorura në dokumentacionin teknik.
Rrjeti i propozuar mbulon një sipërfaqe prej rreth 64 mijë metrash katrorë, me synimin për të krijuar një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të ujërave të ndotura, duke reduktuar ndikimin në mjedis dhe veçanërisht në ujërat bregdetare.
Turizmi është rritur, por kanalizimet kanë mbetur pas
Dokumentacioni teknik evidenton se zhvillimi i shpejtë i turizmit në Jalë ka shtuar ndjeshëm presionin mbi infrastrukturën ekzistuese. Aktualisht, zona nuk ka një sistem të centralizuar dhe të plotë për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Pjesa më e madhe e ndërtesave, përfshirë hotelet, njësitë akomoduese dhe bizneset turistike, mbështeten në sisteme individuale, kryesisht gropa septike ose depozita të mbyllura.
Sipas raportit teknik, këto zgjidhje rezultojnë të pamjaftueshme për përballimin e fluksit të turistëve gjatë sezonit veror, duke krijuar problematika sanitare dhe rreziqe për cilësinë e ujërave bregdetare. Pikërisht kjo situatë ka nxitur nevojën për një investim të centralizuar, që synon të përmirësojë standardet mjedisore të një prej zonave me potencial të lartë turistik në jug të vendit.
Mbrojtja e detit dhe mjedisit, objektiv kryesor
Sipas raportit të thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, projekti synon të reduktojë ndotjen e ujërave sipërfaqësore, nëntokësore dhe detare, përmes grumbullimit dhe trajtimit të kontrolluar të ujërave të ndotura.
Impianti është konceptuar për të kryer procese të trajtimit fizik dhe biologjik, me pajisje që mundësojnë largimin e mbetjeve të ngurta, rërës, yndyrave dhe ndotësve të tjerë. Në dokumentacionin e operimit dhe mirëmbajtjes parashikohet instalimi i dy njësive të parafabrikuara për trajtimin paraprak, secila me kapacitet 45 litra në sekondë.
Projekti parashikon gjithashtu sisteme kontrolli dhe mirëmbajtjeje për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të impiantit, veçanërisht gjatë periudhave kur ngarkesa turistike është më e lartë.
Punimet mund të ndikojnë aktivitetin turistik
Ndërtimi i impiantit dhe i rrjetit të kanalizimeve pritet të shoqërohet me ndërhyrje në terren, hapje kanalesh, lëvizje makinerish dhe punime infrastrukturore. Raporti i ndikimit në mjedis evidenton se gjatë fazës së ndërtimit mund të krijohen shqetësime të përkohshme nga zhurmat, pluhuri dhe lëvizja e mjeteve, veçanërisht pranë strukturave akomoduese dhe zonave rekreative.
Për këtë arsye, dokumenti rekomandon planifikimin e punimeve me zhurmë gjatë orëve të ditës dhe shmangien e ndërhyrjeve shqetësuese gjatë natës, fundjavave dhe periudhave të ndjeshme për aktivitetin turistik. Zbatimi i këtyre masave do të jetë i rëndësishëm për të kufizuar ndikimin e kantierit mbi bizneset dhe vizitorët. /ekofin.al

