Shqipëria ka shënuar përmirësimin më të fortë në perceptimin e klimës së biznesit, por kjo nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm në të ardhurat e kompanive. Në 2025, 69% e bizneseve deklarojnë se janë të kënaqura me klimën aktuale të biznesit, nga 47% një vit më parë, ndërsa pjesa që raportoi rritje të të ardhurave ra nga 50% në 35%.
Të dhënat e Barometrit të Ballkanit 2025 i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit tregojnë se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të bizneseve të kënaqura me klimën aktuale në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pas saj renditen Kosova me 58%, Maqedonia e Veriut me 50%, Serbia me 47%, Mali i Zi me 35% dhe Bosnjë-Hercegovina me 27%. Mesatarja e gjashtë vendeve është vetëm 48%.
Në raport me 2024, ndryshimi për Shqipërinë është veçanërisht i fortë. Pjesa e bizneseve të kënaqura me klimën e biznesit është rritur nga 47% në 69%, ose me 22 pikë përqindjeje. Në nivel rajonal, rritja ka qenë nga 37% në 48%, pra 11 pikë përqindjeje. Shqipëria ka përmirësim dy herë më të madh se mesatarja rajonale.
Por tabloja ndryshon kur bizneset pyeten për të ardhurat. Vetëm 35% e kompanive shqiptare deklarojnë se të ardhurat e tyre janë rritur gjatë 12 muajve të fundit, 49% thonë se kanë mbetur të pandryshuara dhe 16–17% raportojnë rënie. Shqipëria mbetet mbi mesataren e rajonit, ku vetëm 30% raportojnë rritje të të ardhurave, por krahasimi me 2024 tregon një ngadalësim të dukshëm.
Në 2024, 50% e bizneseve shqiptare kishin raportuar rritje të të ardhurave. Kjo pjesë ka rënë në 35% në 2025, ose me 15 pikë përqindjeje. Ndërkohë është rritur fort pjesa e kompanive që raportojnë të ardhura të pandryshuara, nga 29% në 49%. Pjesa që raporton rënie është reduktuar nga 21% në rreth 17%.
Kjo do të thotë se përmirësimi i perceptimit për klimën e biznesit nuk po reflektohet automatikisht në një zgjerim më të gjerë të xhiros së kompanive. Në 2024, Shqipëria ishte dukshëm mbi rajonin për pjesën e kompanive që rrisnin të ardhurat, 50% kundrejt 32%. Në 2025 diferenca është ngushtuar në vetëm 5 pikë përqindjeje, 35% kundrejt 30%.
Edhe për kompanitë që kanë raportuar rritje të të ardhurave, ritmi mesatar nuk është ndër më të lartët në rajon. Në Shqipëri, bizneset që kanë pasur rritje vlerësojnë se të ardhurat janë shtuar mesatarisht me 13%, kundrejt 15% mesatares së Ballkanit Perëndimor. Serbia raporton rritjen mesatare më të lartë, me 18%, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi me 17%./ekofin.al

