Italia, Spanja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të regjistrojnë rënie të pagave reale midis tremujorëve të parë të viteve 2026 dhe 2027, ndërsa Gjermania parashikohet të shënojë rritje. Euronews Business analizon faktorët që qëndrojnë pas këtyre dallimeve.
Pagat reale, pra pagat e përshtatura me inflacionin, parashikohet të bien në Itali, Spanjë, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar midis tremujorëve të parë të viteve 2026 dhe 2027, ndërsa në Gjermani pritet të rriten, sipas raportit Perspektiva e Punësimit 2026 të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Në Itali dhe Spanjë, pagat reale pritet të mbeten nën nivelet e fillimit të vitit 2026, të paktën deri në fund të vitit 2027.
“Në të ardhmen, pasiguritë gjeopolitike dhe një rritje e përkohshme e kostove të energjisë mund të dobësojnë ndjeshëm tregjet e punës, duke ushtruar njëkohësisht presion të mëtejshëm në rritjen e inflacionit, gjë që ka të ngjarë të ndikojë negativisht te pagat”, thuhet në raport.
Raporti thekson se parashikimet bazohen në supozimin se ndërprerjet e shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme do të jenë të konsiderueshme, por do të zgjasin për një periudhë relativisht të shkurtër.
Alexandre Georgieff, ekonomist i OECD-së dhe një nga autorët e raportit, shpjegoi se dallimet në rritjen e parashikuar të pagave reale lidhen me perspektivat e ndryshme të inflacionit, papunësisë dhe kapaciteteve të pashfrytëzuara në tregun e punës.
Përveç rasteve kur specifikohet ndryshe, të gjitha shifrat e mëposhtme krahasojnë pagat reale me nivelin e tyre në tremujorin e parë të vitit 2026.
Në të gjithë eurozonën, pagat reale pritet të bien me 0.4% në mesin e vitit 2026 dhe të rikthehen në nivelin e fillimit të vitit 2026 gjatë tremujorit të parë të vitit 2027. Deri në fund të vitit 2027, ato parashikohet të jenë 0.7% më të larta.

Italia pritet të regjistrojë rënien më të madhe
Italia parashikohet të shënojë rënien më të fortë të pagave reale mes pesë vendeve, duke zbritur 1.9% nën nivelin e fillimit të vitit 2026, gjatë tremujorit të tretë të po atij viti.
Më pas pritet një rimëkëmbje e ngadaltë. Rënia ngushtohet në 1.4% në tremujorin e parë të vitit 2027. Megjithatë, deri në fund të vitit 2027, pagat reale në Itali parashikohet të jenë ende 0.6% nën nivelin e fillimit të vitit 2026.
Inflacioni vjetor në Itali vlerësohej të kishte arritur në 4.1% në shtator.
“Në Itali, kostot e larta të energjisë pritet të fshijnë rritjen e fundit të pagave reale, duke reflektuar varësinë e madhe të vendit nga importet e naftës dhe gazit”, tha Georgieff për Euronews Business.
“Rimëkëmbja gjatë vitit 2027 pritet të jetë e kufizuar, pasi pak marrëveshje kolektive për pagat do të jenë për rinovim gjatë atij viti, ndërsa në tregun e punës vijojnë të ekzistojnë kapacitete të pashfrytëzuara.”
Spanja nuk pritet të rikuperojë humbjet
Rënia në Spanjë është më e vogël, por më e qëndrueshme në kohë.
Pagat reale parashikohet të bien me 0.4% në tremujorin e tretë të vitit 2026 dhe me 0.7% në tremujorin e katërt.
Më pas, ato pritet të mbeten 0.7% nën nivelin e tremujorit të parë të vitit 2026 gjatë të katër tremujorëve të vitit 2027.
Deri në fund të vitit 2027, Spanja parashikohet të ketë rënien më të madhe të pagave reale mes pesë ekonomive kryesore, me 0.7%.
Georgieff tha se Spanja pritet të regjistrojë krijim të konsiderueshëm vendesh pune, por do të vazhdojë të përballet me inflacion të lartë, të nxitur kryesisht nga çmimet e energjisë.
Në shtator, çmimet në Spanjë vlerësoheshin 5% më të larta se një vit më parë.
Italia dhe Spanja janë dy vendet e vetme mes pesë ekonomive ku pagat reale parashikohet të mbeten nën nivelet e fillimit të vitit 2026 edhe në fund të vitit 2027.
Mbretëria e Bashkuar: Rënie e shpejtë, e ndjekur nga rimëkëmbja
Mbretëria e Bashkuar pritet të regjistrojë rënien e dytë më të madhe të pagave reale, pas Italisë.
Sipas parashikimeve të OECD-së, pagat reale do të bien me 0.6% në tremujorin e dytë të vitit 2026 dhe me 1.5% në tremujorin e tretë.
Pika më e ulët pritet të arrihet në tremujorin e katërt, kur pagat reale do të jenë 1.6% nën nivelin e tremujorit të parë.
Megjithatë, rimëkëmbja parashikohet të jetë më e shpejtë.
Rënia pritet të ngushtohet në 1.1% në tremujorin e parë të vitit 2027 dhe në 0.4% në tremujorin e dytë.
Më pas, pagat reale do të kalojnë mbi nivelin e fillimit të vitit 2026, me një rritje prej 0.4% në tremujorin e tretë dhe 1% deri në fund të vitit 2027.
Me inflacionin vjetor që arriti në 3.1% në gusht, pagat vazhdojnë të jenë nën presion.

“Perspektiva për rritjen e pagave reale në Mbretërinë e Bashkuar mbetet sfiduese. Vendi është veçanërisht i ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve të energjisë si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme. Kjo do të thotë se inflacioni pritet të mbetet më i lartë për një periudhë më të gjatë sesa në ekonomitë e krahasueshme evropiane, edhe gjatë vitit 2027”, tha për Euronews Business Charles Cotton, këshilltar i lartë për shpërblimin dhe performancën në CIPD.
Ai theksoi se raporti i CIPD-së për perspektivën e tregut të punës tregon se punëdhënësit po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm në vendimet për rritjen e ardhshme të pagave.
Rritja e kostove të punësimit, përfshirë kontributet më të larta të sigurimeve shoqërore që paguajnë punëdhënësit dhe rritjen e pagës minimale, së bashku me presionet e tjera të kostove, si shtrenjtimi i furnizimeve, po kufizojnë buxhetet që kompanitë mund të përdorin për pagat.
Franca pritet të ketë një rënie më të kufizuar
Franca parashikohet të arrijë pikën më të ulët më herët, me pagat reale që pritet të bien 0.5% në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Më pas, diferenca fillon të ngushtohet.
Pagat reale pritet të rikthehen në nivelin e tremujorit të parë të vitit 2026 gjatë tremujorit të dytë të vitit 2027 dhe ta mbyllin vitin vetëm 0.1% më lart.
Inflacioni vjetor i vlerësuar për shtatorin ishte 3.4%, më i ulët se niveli prej 3.8% i eurozonës.
“Në Francë, inflacioni mbetet relativisht i ulët falë energjisë bërthamore, por pagat pritet të përshtaten ngadalë, ndërsa papunësia vazhdon të rritet”, tha Georgieff.
Në të katër këto ekonomi të mëdha, pagat reale parashikohet të shënojnë rënie në krahasim vjetor midis tremujorëve të parë të viteve 2026 dhe 2027.
Gjermania, përjashtimi mes ekonomive kryesore
Gjermania është vendi i vetëm mes pesë ekonomive ku pagat reale parashikohet të rriten gjatë gjithë periudhës, pavarësisht se inflacioni vjetor vlerësohej të kishte arritur në 3.3% në shtator.
Rritja fillimisht është modeste, me 0.1% në tremujorin e dytë të vitit 2026 dhe 0.5% deri në fund të vitit.
Megjithatë, ritmi i rritjes përshpejtohet gjatë vitit 2027.
Pagat reale parashikohet të jenë 1.1% më të larta në tremujorin e dytë dhe 1.7% më të larta në tremujorin e katërt të vitit 2027.
Ky është rezultati më i mirë mes pesë ekonomive.
Georgieff theksoi se parashikimet pozitive për pagat në Gjermani mbështeten nga një treg pune relativisht i shtrënguar, i karakterizuar nga mungesa e punonjësve të kualifikuar dhe perspektiva më të favorshme për papunësinë.
Njëkohësisht, zgjerimi i konsiderueshëm fiskal, i financuar përmes borxhit, po mbështet aktivitetin ekonomik.
Pse po rriten pagat reale në Gjermani?
Enzo Weber, profesor në Institutin për Kërkime mbi Punësimin (IAB), shpjegoi se pagat reale në Gjermani ishin veçanërisht të dobëta gjatë viteve të para të dekadës 2020, për shkak të rritjes së fortë të inflacionit.
“Më pas, pagat nominale filluan të rikuperonin diferencën, të mbështetura nga negociatat kolektive për pagat. Ajo që po shohim aktualisht vazhdon të jetë rezultat i këtij zhvillimi”, tha ai për Euronews Business.
Weber theksoi se paga minimale u rrit me 8.4% në fillim të vitit 2026 dhe do të rritet me 5% të tjera gjatë vitit 2027.
“Gjermania kaloi disa vite stanjacioni. Tani cikli ekonomik po rimëkëmbet, me një rritje të dukshme të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese. Kjo nxit produktivitetin dhe krijon më shumë hapësirë për rritjen e pagave, pavarësisht krizës në industrinë prodhuese”, përfundoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
