Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” ka tërhequr mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset që prej lançimit në korrik, por deri tani vetëm 35 prej tyre kanë marrë miratimin për kredi. Financimet e miratuara arrijnë një vlerë totale prej rreth 500 milionë lekësh.
Të dhënat u bënë të ditura nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të sipërmarrjes.
Sipas Ibrahimajt, nga mbi 1 mijë kërkesat e paraqitura, rreth 350 aplikime kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe janë përcjellë pranë bankave për shqyrtim. Ndërkohë, rreth 400 biznese kanë hyrë në procesin e aplikimit, me një vlerë totale të kërkesave për financim prej rreth 21 miliardë lekësh.
Krahasuar me këtë volum kërkesash, kreditë e miratuara deri tani përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të interesit të shfaqur nga sipërmarrja. Një nga problematikat e evidentuara gjatë procesit lidhet me aftësinë e bizneseve për të përgatitur plane biznesi që plotësojnë kërkesat e sistemit bankar.
Sipas ministres, komunikimi me bankat ka treguar se një pjesë e sipërmarrjeve kanë ide të mira investimi dhe plotësojnë kriteret bazë për financim, por nuk disponojnë kapacitetet e nevojshme për të hartuar një plan biznesi të financueshëm.
Për këtë arsye, qeveria ka ngritur dy linja këshillimi. Për bizneset në zonat rurale dhe sektorin bujqësor, agropikat e AZBR-së do të shërbejnë si pika kontakti për informacionin mbi programin, hartimin e planeve të biznesit dhe ndjekjen e aplikimeve.
Për bizneset në zonat urbane është vënë ndërkohë në dispozicion një fond prej rreth 8 milionë eurosh për asistencë në hartimin e planeve të biznesit. Në rastet kur bankat kthejnë një aplikim për shkak të mangësive në planin e paraqitur, sipërmarrjet do të mund të marrin asistencë nga agropikat ose ekspertë të kontraktuar nga UNDP-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
“Biznesi, në fazat që Shqipëria është, ka nevojë që të rrisë investimet. Ka nevojë që të zgjerohet, ka nevojë që të dyfishohet, edhe më shumë se dyfishohet”, deklaroi Ibrahimaj.
Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të nxisë investimet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes kredive me normë interesi deri në 2%, maturim deri në 10 vjet dhe financim maksimal deri në 2 milionë euro për biznes.
Skema mbështetet nga një garanci sovrane e qeverisë, e cila mbulon deri në 70% të kolateralit, ndërsa Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh për financimin e biznesit.
Interesi për programin është shtrirë deri tani në nëntë qarqe të vendit dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Një pjesë e konsiderueshme e kërkesave vjen nga aktivitetet e lidhura me prodhimin bujqësor, ndërsa kanë nisur miratimet edhe për sektorë të tjerë.
Garancia sovrane është e hapur për pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, me përjashtim të ndërtimit rezidencial dhe sektorit financiar.
Një tjetër objektiv i skemës lidhet me përgatitjen e kompanive shqiptare për kërkesat që do të sjellë integrimi në Bashkimin Europian. Sipas Ibrahimajt, rritja e investimeve do të jetë e nevojshme që bizneset të përshtatin teknologjinë, kapacitetet dhe standardet e tyre me kërkesat e tregut europian.
“Shumë bizneseve do t’u kërkohet që të përmbushin standarde dhe kritere të cilat janë konform me Bashkimin Europian, me qëllim që ne të jemi konkurrues në tregun vendas, por edhe më gjerë se tregu vendas”, tha ajo.
Qeveria sinjalizon gjithashtu se skema mund të zgjerohet nëse kërkesa për financim mbetet e lartë. Ibrahimaj deklaroi se fondi i garancisë sovrane mund të dyfishohet ose edhe të trefishohet, në varësi të interesit dhe nevojave të sipërmarrjes.
Programi do të vazhdojë të shoqërohet me konsultime me bizneset dhe bankat, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit lë të hapur mundësinë e ndryshimit të instrumenteve të skemës nëse gjatë zbatimit evidentohen pengesa që kufizojnë aksesin e sipërmarrjeve në financim. /ekofin.al
