Qeveria e Spanjës miratoi të martën masa urgjente për të trajtuar krizën e strehimit, pasi shpërtheu dhuna në Barcelonë dhe dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë.
Protestat pasuan demonstratat mbarëkombëtare të zhvilluara gjatë fundjavës. Të gjitha u nxitën nga dëbimi i 87-vjeçares María del Carmen Abascal nga shtëpia e saj në Madrid muajin e kaluar.
Masat e miratuara ishin të ngjashme me ato që Parlamenti kishte rrëzuar javën e kaluar.
Qeverisë së koalicionit të kryeministrit Pedro Sánchez i mungonte shumica dhe ajo pësoi një humbje të rëndë në legjislativ, kur partitë e opozitës së djathtë votuan kundër dekreteve të emergjencës për trajtimin e krizës së strehimit. Në përgjigje të presionit, ai ka shpallur zgjedhje të parakohshme për 29 nëntor.
21 masat e miratuara përfshijnë lehtësimin e marrjes me qira ose blerjes së një banese të re, zgjatjen e mbrojtjes nga dëbimi për banorët në kushte të cenueshme, rregullimin e qirave të dhomave, vendosjen e një takse të re për qiratë sezonale, ndalimin e blerjeve spekulative të pasurive të paluajtshme, si dhe lehtësime tatimore për pronarët dhe qiramarrësit që i kryejnë pagesat në kohë.
„Nuk do të lejojmë më dëbime si ai që pësoi Maricarmen, apo si ato që kanë ndodhur që prej shfuqizimit të dekreteve“, u tha Sánchez gazetarëve në Pallatin Presidencial, duke iu referuar Abascal me nofkën e saj.
Qeveria do të krijojë gjithashtu një fond prej 10 miliardë eurosh për të ofruar kredi deri në 50 000 euro për blerjen e banesës së parë, si dhe subvencione për ndërtimin e banesave, shtoi kryeministri spanjoll.
Masat do të duhet të ratifikohen nga një legjislaturë e përkohshme, në vend të Parlamentit, i cili u shpërnda pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Kjo legjislaturë përbëhet nga 69 anëtarë, në vend të 350 deputetëve që ka Parlamenti i rregullt. Koalicioni i Sánchez do të ketë nevojë vetëm për 35 vota për t’i miratuar masat.
Kryeministri u kërkoi sërish kundërshtarëve të votojnë pro, duke thënë: „Nuk po flasim për një çështje ideologjike, por për arsyen e shëndoshë.“
„Shumë spanjollë po presin zgjidhje, jo vetëm ata që mblidhen në sheshet e qyteteve, apo mijëra protestuesit në rrugë. Po i referohem miliona qytetarëve që presin nga përfaqësuesit e tyre të tregojnë guximin për të mbrojtur interesat e tyre përballë të fuqishmëve, në vend që t’u nënshtrohen atyre“, tha ai.
Protestat shndërrohen në dhunë në Barcelonë
Në Barcelonë, qytetin e dytë më të madh të Spanjës, një alarm për mot të keq gjatë fundjavës i detyroi organizatorët ta shtynin protestën për të hënën.
Ajo që nisi si një marshim masiv dhe paqësor u shndërrua në dhunë, kur grupe prej qindra aktivistësh radikalë u përleshën me policinë, duke hedhur gurë dhe duke u vënë zjarrin kazanëve të mbeturinave.
Alejandro Quiroga, profesor i shkencave politike në Universitetin Complutense të Madridit, argumentoi se miratimi i dekreteve nga legjislatura e përkohshme ishte kushtetues, por edhe një lëvizje e nevojshme politike nga Sánchez.
„Nuk mendoj se Sánchez kishte alternativë“, tha Quiroga. „Nëse shpall zgjedhje të parakohshme në mënyrë që vëmendja e publikut të mbetet te strehimi, nuk mund thjesht të rrish duarkryq dhe të mos bësh asgjë për këtë çështje. Kjo nuk do të ishte e zgjuar.“
Rritja e kostove dhe mungesa e banesave po i nxjerrin shumë spanjollë jashtë tregut të banesave, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike në ekonominë e katërt më të madhe të Evropës.
Protestuesit kanë kërkuar mbrojtje më të fortë për qiramarrësit, masa kundër mashtrimit dhe ndalimin e dëbimeve kur nuk ofrohet një strehim alternativ./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
