Koreja e Jugut kryeson botën për dendësinë e robotëve industrialë, me 1,220 robotë për çdo 10,000 punonjës në industrinë përpunuese në vitin 2024, më shumë se nëntë herë mbi mesataren globale prej 132. Në skajin tjetër të kontrastit, Kina zotëron flotën më të madhe të robotëve në botë, rreth 2 milionë njësi, por renditet vetëm e 22-ta kur numri i tyre krahasohet me fuqinë punëtore në industri.
Të dhënat, të publikuara në prill 2026 nga International Federation of Robotics (IFR) dhe të përpunuara nga Visual Capitalist, tregojnë diferenca të mëdha mes ekonomive për shkallën e automatizimit të fabrikave.
Pas Koresë së Jugut renditet Singapori me 818 robotë për 10,000 punonjës, ndërsa diferenca me vendin e tretë është e ndjeshme: Gjermania ka 449 robotë, pothuajse sa gjysma e nivelit të Singaporit.
Në vijim renditen Japonia me 446, Suedia me 377, Danimarka me 329 dhe Sllovenia me 315 robotë për 10,000 punonjës. Shtetet e Bashkuara, me 307 robotë, janë në vendin e tetë, nivel që korrespondon afërsisht me një robot për çdo 33 punonjës fabrike.
Epërsia e Koresë së Jugut lidhet veçanërisht me peshën e lartë të industrisë së elektronikës dhe asaj automobilistike. Sipas IFR, këta dy sektorë përbënin së bashku pothuajse gjysmën e instalimeve të reja të robotëve industrialë në botë gjatë vitit 2024.
Një tjetër faktor që po nxit automatizimin është tkurrja e fuqisë punëtore. Koreja e Jugut kishte një normë fertiliteti prej vetëm 0.75 lindjesh për grua në vitin 2025, ndër më të ulëtat në botë. Në Singapor, norma ishte 0.96, duke shtuar presionin mbi kompanitë për të zëvendësuar një pjesë të punës njerëzore me automatizim.
Kina ka 43% të robotëve në botë, por vetëm 166 për 10 mijë punonjës
Rasti i Kinës tregon se numri total i robotëve nuk përkthehet domosdoshmërisht në dendësi të lartë automatizimi për punonjës.
Në vitin 2024, Kina kishte në funksion rreth 2 milionë robotë industrialë, ose afërsisht 43% të flotës globale. Megjithatë, për shkak të numrit shumë të madh të punonjësve në industrinë përpunuese, dendësia ishte vetëm 166 robotë për 10,000 punonjës, duke e renditur vendin në pozicionin e 22-të.
Megjithatë, ritmi i instalimeve mbetet shumë i lartë. Në vitin 2025, Kina instaloi 354,200 robotë industrialë, shumë më tepër se çdo ekonomi tjetër.
Në të njëjtin vit, Shtetet e Bashkuara instaluan 38,400 robotë, një rritje prej 12%, duke kaluar Japoninë me 36,200 instalime dhe duke u bërë tregu i dytë më i madh në botë pas Kinës.
Vetëm industria automobilistike amerikane instaloi 13,500 robotë në vitin 2025. IFR pret që përdorimi i tyre të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2026, i nxitur nga rikthimi i një pjese të prodhimit në SHBA dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore.
Evropa dominon renditjen, industria e makinave shtyn automatizimin
Ekonomitë evropiane përbëjnë 15 nga 22 vendet me dendësinë më të lartë të robotëve industrialë.
Gjermania është ekonomia e parë evropiane në renditje me 449 robotë për 10,000 punonjës, ndërsa në dhjetëshen e parë hyjnë edhe Suedia, Danimarka, Sllovenia dhe Zvicra.
Lidhja mes automatizimit dhe industrisë automobilistike është veçanërisht e dukshme në Evropën Qendrore. Sllovenia regjistron 315 robotë për 10,000 punonjës, Çekia 216, Sllovakia 210 dhe Hungaria 172.
Sllovakia prodhoi 183 makina për 1,000 banorë në vitin 2024, niveli më i lartë në botë dhe më shumë se tre herë krahasuar me 51 makina për 1,000 banorë në Gjermani. Çekia, ku operojnë prodhues si Škoda Auto, Hyundai dhe Toyota, arriti në 134 makina për 1,000 banorë.
Në pjesën tjetër të renditjes, Zvicra ka 294 robotë për 10,000 punonjës, Holanda 293, Austria 272, Kanadaja 241, Italia 237, Belgjika dhe Luksemburgu 232, Franca 195, Finlanda dhe Spanja nga 183 secila.

