JYSK do t’i japë fund modelit të funksionimit me franchise në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke kaluar nën kontroll të drejtpërdrejtë të kompanisë daneze të gjitha operacionet në këto tre tregje.
Kompania ka arritur një marrëveshje me partnerin e saj të franchise, Fatmir Zymberi, për blerjen e të gjithë aktivitetit në tre vendet, përfshirë 25 dyqane dhe organizatat lokale. Transaksioni pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, me kusht që të marrë miratimet e nevojshme rregullatore.
Në Shqipëri, marrëveshja përfshin 6 dyqane JYSK, ndërsa 12 dyqane ndodhen në Kosovë dhe 7 në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij operacioni, kompania synon të kalojë nga modeli i franchise në administrim të drejtpërdrejtë, duke marrë vetë kontrollin mbi investimet, zhvillimin e rrjetit dhe planet e zgjerimit.
JYSK ka hyrë fillimisht në Kosovë në vitin 2004, ndërsa në Maqedoninë e Veriut aktiviteti nisi në vitin 2008. Në tregun shqiptar, marka daneze është e pranishme prej vitit 2015.
Kalimi nën administrimin e drejtpërdrejtë të grupit pritet t’i hapë rrugë një faze të re investimesh. JYSK ka bërë të ditur se synon të hapë dyqane të reja në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke forcuar më tej praninë në këto tregje.
“Ne besojmë se ka potencial të konsiderueshëm për të rritur më tej markën JYSK duke i integruar këto vende në organizatën tonë, ku do të investojmë drejtpërdrejt në zgjerimin e mëtejshëm, dyqanet dhe punonjësit tanë”, deklaroi CEO i JYSK, Rami Jensen.
Sipas tij, operacionet e zhvilluara deri tani përmes franchise kanë krijuar një bazë të fortë për fazën e ardhshme të zhvillimit.
“Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë tregje të suksesshme për JYSK dhe dua të falënderoj partnerin tonë të franchise, Fatmir Zymberi, dhe të gjithë punonjësit për ofertat tërheqëse që u kanë sjellë klientëve në segmentin e produkteve skandinave për shtëpinë dhe gjumin”, tha Jensen.
Për konsumatorët, ndryshimi i pronësisë dhe administrimit nuk pritet të sjellë ndërprerje të aktivitetit. Të gjitha dyqanet do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht gjatë periudhës së tranzicionit.
Marrja e kontrollit të drejtpërdrejtë do t’i japë grupit danez mundësinë që vendimet për investimet, hapjen e pikave të reja, modernizimin e dyqaneve dhe zhvillimin e stafit t’i marrë brenda strukturës së vet. Për Shqipërinë, kjo do të thotë se nga fillimi i vitit 2027, nëse transaksioni merr miratimin rregullator, JYSK nuk do të operojë më përmes franchise, por drejtpërdrejt si pjesë e organizatës së grupit danez.
