Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor pritet të përshpejtojnë ritmin e rritjes gjatë vitit 2026, duke ecur në drejtim të kundërt me ngadalësimin e përgjithshëm që po përjeton Evropa dhe Azia Qendrore. Banka Botërore parashikon që ekonomia e rajonit të zgjerohet me 3.1% këtë vit, nga 2.6% në vitin 2025.
Vlerësimi është pjesë e raportit më të fundit të Bankës Botërore “Përditësimi Ekonomik për Evropën dhe Azinë Qendrore: Vënia e Inteligjencës Artificiale në Funksion të Punësimit, Ndërmarrjeve dhe Produktivitetit”. Në tërësi, perspektiva për rajonin e gjerë është më pak optimiste. Rritja ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore pritet të ngadalësohet nga 2.6% në vitin 2025 në 2.2% këtë vit, nën ndikimin e çmimeve më të larta të energjisë, pasigurisë së shtuar dhe zgjerimit më të dobët të ekonomive partnere tregtare.
Sipas Bankës Botërore, ekonomitë janë mbështetur deri tani nga kushtet e favorshme në tregun e punës, rritja e pagave reale, remitancat, turizmi dhe investimet publike. Qeveritë kanë ndërhyrë gjithashtu me masa të përkohshme për të zbutur efektin e kostove më të larta të energjisë për familjet dhe bizneset, megjithëse në disa vende këto masa kanë shtuar presionin mbi financat publike.
Megjithatë, rreziqet për perspektivën ekonomike mbeten të konsiderueshme. Çmimet e energjisë po e mbajnë inflacionin në nivele të larta, ndërsa rritja më e dobët në Bashkimin Evropian dhe konkurrenca nga ekonomitë e tjera po ndikojnë mbi eksportet dhe aktivitetin industrial. Veçanërisht të ekspozuar janë zinxhirët e furnizimit të industrisë automobilistike.
Banka Botërore rendit mes rreziqeve kryesore ndërprerjet e mëtejshme të tregtisë, vazhdimin e luftës në Ukrainë, një rritje tjetër të kostove të energjisë, transportit dhe plehrave kimike, shtrëngimin e kushteve globale të financimit, dobësimin ekonomik të partnerëve kryesorë tregtarë dhe fenomenet ekstreme klimatike.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet Inteligjencës Artificiale, të cilën Banka Botërore e sheh jo vetëm si një ndryshim teknologjik, por edhe si një instrument potencial për rritjen e produktivitetit dhe zbutjen e problemeve që krijon tkurrja e popullsisë në moshë pune.
Përhapja e IA-së në Evropë dhe Azinë Qendrore po ecën madje më shpejt sesa aftësia e ekonomive për ta përthithur atë. Rreth një në pesë punonjës, kryesisht të rinj dhe persona me arsim të lartë, punojnë në profesione me ekspozim të konsiderueshëm ndaj Inteligjencës Artificiale. Por përdorimi i teknologjisë nga bizneset mbetet ende i kufizuar: më pak se një në dhjetë ndërmarrje përdor aktualisht IA dhe, në shumicën e rasteve, vetëm për detyra bazike.
Kjo diferencë tregon se potenciali ekonomik i teknologjisë është ende larg shfrytëzimit të plotë. Rajoni ka disa avantazhe, mes tyre mbulimin pothuajse universal me rrjet celular, kosto relativisht të favorshme të energjisë dhe një bazë talentesh me aftësi teknike. Pengesat kryesore lidhen me mungesën e aftësive bazë arsimore dhe menaxheriale, të dhënat e paintegruara dhe kapacitetet e pamjaftueshme kompjuterike.
Banka Botërore argumenton se sektori privat duhet të jetë motori kryesor i adoptimit dhe inovacionit, ndërsa qeveritë duhet të përgatisin fuqinë punëtore për transformimin teknologjik.
“Gjatë dekadës së ardhshme, rreziku më i madh për rajonin ka të ngjarë të jetë përdorimi dhe përshtatja e pamjaftueshme e inteligjencës artificiale, jo përdorimi i tepërt i saj”, vlerëson Ivailo Izvorski, Kryekonomist i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Potenciali, sipas raportit, shkon përtej automatizimit të proceseve ekzistuese. IA mund të krijojë produkte, shërbime, profesione dhe sektorë të rinj, por kjo kërkon përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e investimeve private. Qeveritë mund të ndihmojnë edhe duke zgjeruar aksesin me kosto të përballueshme në infrastrukturën kompjuterike, çka mund të krijojë mundësi të reja për eksportin e shërbimeve të qendrave të të dhënave dhe kapaciteteve kompjuterike./ekofin.al
