Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka aplikuar pranë Zyrës së Bashkimit Europian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO) për ta regjistruar zërin e saj si markë tregtare, në një përpjekje të re për t’u mbrojtur nga falsifikimet e krijuara me inteligjencë artificiale, të njohura si “deepfake”, sipas të dhënave të publikuara të hënën.
Aplikimi i saj, i datës 5 tetor në faqen e EUIPO-s dhe i konfirmuar nga zyra e kryeministres, përfshin një regjistrim zanor prej katër sekondash, në të cilin ajo përsërit dy herë në italisht frazën: “Unë jam Giorgia Meloni”.
“Io sono Giorgia” (“Unë jam Giorgia”) ishte titulli i autobiografisë së saj të vitit 2021, që rimerrte një deklaratë të famshme të Melonit gjatë një tubimi politik në vitin 2019, e cila madje u kthye edhe në një këngë disko.
Vitet e fundit, imazhe të manipuluara të Melonit kanë qarkulluar vazhdimisht në internet dhe, në disa raste, janë shpërndarë si autentike. Mes tyre ishte edhe një imazh që e paraqiste të ulur në një shtrat, me të brendshme.
Meloni i ka denoncuar këto materiale si pjesë të përpjekjeve për të përhapur të pavërteta dhe për të vënë individë në shënjestër, duke u bërë thirrje përdoruesve të verifikojnë përmbajtjen përpara se ta shpërndajnë në internet. Ajo ka thënë se, ndërsa vetë është në gjendje të mbrohet, shumë të tjerë nuk e kanë këtë mundësi.
Aplikimi pranë EUIPO-s është ende në shqyrtim.
Mediat italiane kanë raportuar se, edhe nëse miratohet, regjistrimi nuk do ta pengonte në vetvete përdorimin e zërit të saj në falsifikime të krijuara me inteligjencë artificiale, por mund të krijonte pengesa shtesë ligjore për ata që synojnë ta riprodhojnë atë.
Në vitin 2024, Meloni ngriti një padi civile kundër një burri nga Sardenja, i akuzuar se kishte krijuar dhe publikuar në internet imazhe pornografike të falsifikuara me teknologjinë “deepfake”, duke përdorur fytyrën e saj. Çështja mbetet në shqyrtim në një gjykatë italiane./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
