Banka e Shqipërisë po zhvillon gjatë vitit 2026 një nga ndërhyrjet më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në tregun e brendshëm valutor, duke blerë sasi të konsiderueshme eurosh në përpjekje për të absorbuar ofertën e lartë të valutës dhe për të zbutur presionet e forta mbiçmuese mbi lekun.
Sipas informacioneve të siguruara nga Ekofin.al, deri në fund të muajit gusht, pra vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerësohet të ketë blerë nga tregu një shumë që luhatet në intervalin 1–1,2 miliardë eurove. Shifra përfshin si blerjet e realizuara përmes ankandeve të programuara, ashtu edhe ndërhyrjet e tjera të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.
Të dhënat e plota zyrtare për këtë periudhë nuk janë ende të disponueshme. Banka e Shqipërisë i publikon të dhënat faktike për ndërhyrjet valutore me mbi tre muaj vonesë, një praktikë që institucioni e argumenton me nevojën për të shmangur krijimin e efekteve spekulative në treg.
Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar fillimisht 26 ankande për blerjen e valutës, nga 22 të tilla një vit më parë. Vetëm përmes këtyre ankandeve të programuara, objektivi i shpallur ishte blerja e 330–450 milionë eurove gjatë gjithë vitit. Kalendari parashikon ankande me shuma kryesisht 5–10 milionë euro dhe, në disa raste, 6–12 milionë euro.
Por vëllimi i valutës së blerë gjatë vitit rezulton shumë më i madh se kufiri i parashikuar vetëm për ankandet e programuara, për shkak të ndërhyrjeve të tjera në treg. Nëse ritmi i tetë muajve të parë do të vijojë edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit, blerjet e Bankës së Shqipërisë mund të arrijnë rreth 1,5 miliardë euro deri në fund të dhjetorit, duke shënuar një rekord të ri historik.
Pavarësisht përmasave të ndërhyrjes, presioni mbi kursin e këmbimit ka mbetur i fortë.
Në fillim të vitit 2026, një euro këmbehej me rreth 96,64 lekë, ndërsa në fillim të tetorit kursi ka zbritur në rreth 91,98 lekë për euro. Kjo përfaqëson një rënie prej 4,66 lekësh, ose një zhvlerësim të euros me 4,82% ndaj lekut në 9 muaj.
Në këtë mënyrë, euro është zhvlerësuar gjatë janar–shtatorit 2026 më shumë se trefishi i rënies së regjistruar gjatë gjithë vitit të kaluar.
Edhe viti 2025 ishte karakterizuar nga blerje rekord të valutës nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se institucioni bleu 297,9 milionë euro përmes ankandeve, kundrejt 283,8 milionë eurove në vitin 2024. Krahas tyre, gjatë vitit u blenë edhe 729,1 milionë euro për realizimin e objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Të marra së bashku, këto dy kategori e çojnë shumën në rreth 1,027 miliardë euro.
Megjithatë, edhe kjo ndërhyrje e paprecedentë nuk e ndaloi forcimin e lekut. Euro e nisi vitin 2025 rreth nivelit 98,23 lekë dhe e mbylli pranë 96,77 lekëve, duke humbur rreth 1,49% të vlerës së saj. Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë pjesës së dytë të vitit 2025 forcimi i lekut u ushqye kryesisht nga hyrjet e larta valutore prej turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja, megjithëse ritmi i mbiçmimit ishte më i ngadaltë se në dy vitet paraardhëse.
Situata e vitit 2026 tregon se presionet janë intensifikuar përsëri. Pavarësisht se nga tregu janë tërhequr deri në 1–1,2 miliardë euro vetëm deri në fund të gushtit, monedha evropiane ka humbur 4,82% ndaj lekut deri në fillim të tetorit.
Kjo rënie është pothuajse e barabartë me zhvlerësimin e regjistruar gjatë gjithë vitit 2024, kur euro ra nga 103,24 në 98,15 lekë, ose me 4,93%. Në vitin 2023 rënia kishte qenë edhe më e fortë: nga 114,54 në 103,88 lekë, ose 9,31%.

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë marrë ndërkohë përmasa gjithnjë e më të mëdha. Përveç ndikimit në raportin kërkesë-ofertë në tregun valutor, blerjet e euros shtojnë rezervën valutore të vendit. Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të kursit të lirë të këmbimit, çka do të thotë se nuk ka një kurs të synuar të euros ndaj lekut. Institucioni ka theksuar se ndërhyrjet në treg kryhen sipas kuadrit të tij rregullator dhe, në rastin e ankandeve të programuara, kanë si objektiv rritjen e rezervës valutore.
Nëse blerjet arrijnë rreth 1,5 miliardë euro deri në fund të vitit, 2026 do të vendoste një rekord të ri për praninë e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Por zhvlerësimi me 4,82% i euros deri në tetor tregon njëkohësisht përmasat e ofertës së valutës në treg: edhe tërheqja e sasive rekord të euros nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndalur forcimin e mëtejshëm të lekut. /ekofin.al
