Nëse ju pëlqejnë fundjavat aktive, që kombinojnë ecjen në natyrë me zbulimin e historisë, shpatet lindore të Alpeve janë ndër destinacionet më të mira në Europën Qendrore.
Majat më të ulëta të maleve ndodhen në Austri, ndërsa rrëza e tyre shtrihet deri në Hungari.
Dy vendet nuk i lidhin vetëm pyjet dhe malet, por edhe e kaluara. Shtigjet për biçikleta malore dhe rrugët e ecjes kalojnë përmes qindra viteve histori.

Velem, Hungari: Një fshat i vogël me një të kaluar të pasur
Gjatë rrugës për në fshatin Velem, kapela e bardhë e Shën Vidit, ose Shën Vitusit, mund të dallohet nga dhjetëra kilometra larg.
Në një lartësi prej 589 metrash, kapela ndodhet thellë në pyjet e vargmalit Kőszeg, në fund të një shtegu me vështirësi mesatare. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XVIII mbi rrënojat e një vendbanimi të lashtë.
Keltët e populluan këtë zonë rreth 2,000 vjet më parë. Më pas romakët ndërtuan një kullë vrojtimi për të mbrojtur sistemin e ujësjellësit që furnizonte me ujë qytetin e lashtë Savaria. Nëse ecni nëpër pyll, mund të dalloni ende tarracat artificiale të krijuara nga keltët.
Një tjetër shteg i njohur nga Velemi të çon në Geschriebenstein, maja më e lartë e rajonit, e cila ndodhet pikërisht në kufirin mes Hungarisë dhe Austrisë.

Ecja nga Velemi është disi aventureske, ndërsa nga ana austriake itinerari është më i lehtë.

Rruga e tretë është “Shtegu i Burimeve” (Források útja), i cili prezanton burime të njohura dhe më pak të njohura të maleve Kőszeg. Itinerari është 14 kilometra i gjatë dhe ka 11 ndalesa.

Kőszeg: Qyteti i vogël hungarez që ndali avancimin e ushtrisë osmane në vitin 1532
Vetëm pak kilometra nga kufiri me Austrinë ndodhet Kőszeg, një nga qytetet e vogla më tërheqëse të Hungarisë.
Kőszeg njihet më së shumti për Kështjellën Jurisics, një kështjellë gotike mesjetare që ishte në qendër të rrethimit të Kőszegut në vitin 1532.
Kapiteni i kështjellës kishte rreth 50 ushtarë, të cilëve iu bashkuan 700 banorë vendas hungarezë, përballë ushtrisë osmane që synonte të arrinte në Vjenë. Si arritën mbrojtësit e qytetit të ndalonin avancimin e një ushtrie kaq të fuqishme? Historia e saktë mbetet mister, por disa mendojnë se reshjet e dendura të gushtit luajtën një rol të rëndësishëm.

Ecja malore nga Velemi në Kőszeg zgjat një ditë të tërë, por ia vlen. Përgjatë rrugës mund të kaloni pranë burimeve me ujë të ftohtë, të shihni kapelën e Shën Vidit dhe të vizitoni shtëpitë stiriane që përdoreshin nga pylltarët në vitet 1800.
Lockenhaus: A ngasin biçikleta kalorësit modernë?
Kështjella e kalorësve në Lockenhaus, dikur shtëpi e templarëve misteriozë, ndodhet në peizazhin e bukur të Parkut Natyror Geschriebenstein në Austri.
Pylli përreth përshkohet nga shtigje për biçikleta malore, me nivele vështirësie që variojnë nga të lehta deri te jashtëzakonisht të vështira.

Nga qyteti i afërt Rechnitz, autobusi “Burgenland Trails” ndihmon çiklistët të transportojnë biçikletat deri në pikat e përcaktuara. Minibusët e pajisur për transportin e biçikletave funksionojnë me orare të rregullta gjatë fundjavave dhe festave zyrtare.
Nga Geschriebenstein, maja më e lartë e rajonit, çiklistët mund të arrijnë në Lockenhaus, Rechnitz Badesee ose edhe në Hungari.
Shtigjet e biçikletave janë të ndara nga rrugët për këmbësorë, në mënyrë që çiklistët dhe alpinistët të mos pengojnë njëri-tjetrin.
Kështjella e Lockenhausit e shekullit XIII ka një koloni të veçantë lakuriqësh nate të llojit Geoffroy, të cilët vizitorët mund t’i vëzhgojnë nga prilli deri në korrik.
Mes banorëve të tjerë të kështjellës janë edhe fajkonjtë e vegjël dhe dallëndyshet e shpejta. Nëse jeni me fat, pranë liqenit afër kështjellës mund të shihni edhe një familje kastorësh.

Stadtschlaining: Qyteti austriak që ka ruajtur pamjen mesjetare
Një tjetër kështjellë mesjetare e shekullit XIII në Austri, pranë kufirit hungarez, është Burg Schlaining.
E vendosur në periferi të Stadtschlainingut, ajo ndodhet vetëm 22 kilometra nga Lockenhausi, përgjatë rrugës së biçikletave R1 Jubiläumsradweg.
Me qendrën e tij mesjetare dhe peizazhin kodrinor, Stadtschlaining ofron mundësi të shumta për ecje dhe shëtitje me biçikletë. Në fund të itinerarit, vizitorët mund të shijojnë falas atmosferën e kopshteve të kështjellës.
Stadtschlaining është gjithashtu pikënisje për ekskursione drejt “weinstrasse”, rrugës piktoreske të verës në Südburgenland.
Aty mund të zbuloni vreshta karakteristike, taverna tradicionale vere të njohura si “heuriger” dhe ferma që prodhojnë sidër./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

