Shqipëria po përgatit ndryshime të reja në ligjin për procedurat tatimore, të cilat zgjerojnë detyrimet e raportimit për grupet e shoqërive shumëkombëshe dhe vendosin rregulla për shkëmbimin automatik të informacionit tatimor me juridiksionet e tjera.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’” është propozuar nga qeveria dhe synon përafrimin e plotë me Direktivën e Këshillit të BE-së 2016/881 për shkëmbimin automatik të detyrueshëm të informacionit në fushën e tatimeve.
Ndryshimet prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë rregullat e raportimit “për çdo vend”, të njohur ndërkombëtarisht si Country-by-Country Reporting, për grupet e shoqërive shumëkombëshe.
Pragu i parashikuar në ligj mbetet 105 miliardë lekë, ndërsa në dispozitën përkatëse specifikohet se kjo shumë është përafërsisht ekuivalente me 750 milionë euro në janar 2015.
Një nga ndryshimet kryesore është zgjerimi i kategorisë së subjekteve që mund të konsiderohen entitete raportuese. Sipas projektligjit, entiteti raportues mund të jetë jo vetëm entiteti mëmë përfundimtar, por edhe një “entitet mëmë zëvendësues” ose një entitet tjetër që plotëson kushtet e përcaktuara nga ligji.
Projektligji përcakton se çdo entitet mëmë përfundimtar i një grupi shumëkombësh që është rezident për qëllime tatimore në Shqipëri duhet të paraqesë pranë administratës tatimore raportin për çdo vend për vitin përkatës fiskal.
Por detyrimi mund të kalojë edhe te një entitet përbërës i grupit që ndodhet në Shqipëri, edhe nëse ai nuk është kompania mëmë.
Kjo parashikohet në tre raste kryesore: kur kompania mëmë nuk është e detyruar të paraqesë raportin në juridiksionin ku është rezidente; kur ai juridiksion ka një marrëveshje ndërkombëtare me Shqipërinë, por nuk ekziston marrëveshja përkatëse ndërmjet autoriteteve kompetente për shkëmbimin e raporteve; ose kur ka një “dështim sistemik” të juridiksionit ku ndodhet kompania mëmë.
Me “dështim sistemik”, projektligji nënkupton rastin kur një juridiksion, megjithëse ka një marrëveshje për shkëmbimin e informacionit me Shqipërinë, e ka pezulluar atë pa një arsye të parashikuar nga marrëveshja ose ka dështuar vazhdimisht t’i transmetojë Shqipërisë raportet përkatëse të grupeve shumëkombëshe.
Nëse ndodh një nga këto situata, kompania shqiptare duhet t’i kërkojë kompanisë mëmë informacionin e nevojshëm për plotësimin e detyrimit. Nëse kompania mëmë refuzon t’ia japë të gjithë informacionin, entiteti në Shqipëri duhet të raportojë informacionin që zotëron dhe njëkohësisht të njoftojë administratën tatimore shqiptare për refuzimin.
Projektligji parashikon edhe një zgjidhje për rastet kur një grup shumëkombësh ka më shumë se një entitet në Shqipëri. Në këtë rast, grupi mund të caktojë vetëm njërin prej tyre për të dorëzuar raportin pranë administratës tatimore, duke njoftuar se raportimi bëhet për përmbushjen e detyrimit të entiteteve përbërëse të grupit.
Një tjetër risi është njohja e “entitetit mëmë zëvendësues”. Grupi shumëkombësh mund të caktojë një prej entiteteve të tij për të paraqitur raportin në vend të kompanisë mëmë përfundimtare. Në këtë rast, një entitet përbërës në Shqipëri mund të përjashtohet nga raportimi nëse plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji, përfshirë ekzistencën e një marrëveshjeje për shkëmbimin e informacionit ndërmjet Shqipërisë dhe juridiksionit ku ndodhet entiteti zëvendësues.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme është shtimi në ligj i një neni të posaçëm për shkëmbimin automatik të informacionit.
Administrata Tatimore shqiptare, pasi merr raportin për çdo vend, do t’ia komunikojë atë automatikisht çdo juridiksioni tjetër ku një ose më shumë kompani të grupit shumëkombësh janë rezidente për qëllime tatimore ose i nënshtrohen tatimit për aktivitetin e ushtruar nëpërmjet një selie të përhershme.
Shkëmbimi automatik duhet të kryhet brenda 15 muajve nga dita e fundit e vitit fiskal të grupit shumëkombësh të cilit i përket raporti.
Në këtë mënyrë, informacioni që kompanitë shumëkombëshe raportojnë në Shqipëri do të mund të kalojë automatikisht te administratat tatimore të vendeve të tjera ku grupi ka aktivitet, sipas mekanizmave dhe marrëveshjeve përkatëse të shkëmbimit të informacionit.
Ndryshimet janë pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit tatimor shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe synojnë të harmonizojnë sistemin e raportimit të grupeve shumëkombëshe me rregullat që zbatohen në BE.
Megjithatë, rregullat e reja nuk do të fillojnë të zbatohen menjëherë. Projektligji përcakton se ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por efektet e tij fillojnë vetëm në datën e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. /ekofin.al
