Dy nismat ligjore që prekin funksionimin e Bankës së Shqipërisë pritet të ecin paralelisht dhe të bashkohen gjatë shqyrtimit parlamentar, duke i hapur rrugën një reformimi më të gjerë të kuadrit ligjor të bankës qendrore.
Burime nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave i thanë Ekofin.al se qeveria pritet të miratojë së shpejti projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili u hodh në konsultim publik nga Ministria e Financave në muajin korrik. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, drafti do t’i përcillet Kuvendit për nisjen e procedurës parlamentare.
Në këtë fazë, sipas të njëjtave burime, projektligjit të qeverisë pritet t’i bashkohen edhe ndryshimet e propozuara së fundmi në ligjin aktual nr. 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë” nga kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Kjo do të thotë se dy nismat nuk përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as varianti i depozituar në Kuvend nuk zëvendëson reformën e gjerë të përgatitur nga qeveria. Ato pritet të ecin paralelisht deri në fazën e shqyrtimit në komisionet parlamentare, ku propozimet e nismës së deputetëve mund të integrohen në tekstin e projektligjit të ri.
Projektligji i qeverisë është dokumenti më i gjerë.
Ai rregullon nga e para një pjesë të konsiderueshme të arkitekturës ligjore të bankës qendrore, duke përfshirë statusin dhe pavarësinë e institucionit, kapitalin, objektivat dhe detyrat, politikën monetare, stabilitetin financiar, sistemet e pagesave, drejtimin e Bankës, emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve, auditimin dhe marrëdhëniet me qeverinë.
Një pjesë e rëndësishme e draftit lidhet edhe me integrimin evropian. Projekti përcakton kuadrin që do të zbatohet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur Banka e Shqipërisë do të bëhet pjesë e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, si dhe parashikon ndryshime të tjera që lidhen me fazën e anëtarësimit në Unionin Monetar Evropian.
Në këtë projekt përfshihen gjithashtu dispozita për monedhën digjitale “Lek”, së cilës i njihet statusi i parasë me kurs ligjor, krahas kartëmonedhave dhe monedhave metalike, ndërsa Bankës së Shqipërisë i rezervohet e drejta e emetimit.
Ndryshe nga ky projekt, nisma e depozituar së fundmi në Kuvend është më e kufizuar dhe ndërhyn vetëm në disa dispozita të ligjit aktual nr. 8269/1997. Ajo fokusohet kryesisht te ndalimi i financimit monetar të qeverisë dhe sektorit publik, rregullat për blerjen e titujve shtetërorë dhe funksionimi i Komitetit të Auditimit.
Por projektligji i ri i qeverisë shkon dukshëm më tej. Ai përmban riorganizimin e drejtimit të Bankës, kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve, ngritjen e Komitetit të Politikës Monetare dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar, si dhe dispozita të tjera që nuk gjenden në ndryshimet e kufizuara të depozituara aktualisht në Kuvend.
Në projektin e korrikut është përfshirë gjithashtu një procedurë e posaçme lidhur me rastet e mundshme të arrestimit të Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorit të Parë, që përfshin rolin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kjo çështje nuk është pjesë e nismës së kufizuar të depozituar në Parlament. /ekofin.al
