Komisioni Kombëtar i Sigurisë zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e Kombinatit Mekanik Poliçan lidhur me projektligjin “Për financimin e detyrimeve të prapambetura të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”. Projektligji synon trajtimin financiar, si dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan, duke përballuar efektet financiare për 4 (katër) punonjësit aktualë, për vitet 2021- 2023 dhe për 127 punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020.
Efektet financiare të llogaritura për detyrimet për paga dhe deklarimin e kontributeve në sistemin e-filing, janë në masën 58.5 milionë lekë për pagat dhe 25.3 milionë lekë për sigurime shoqërore, shëndetësore, në vlerën totale 83.8 milionë lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i alokuar për Ministrinë e Mbrojtjes, brenda vitit 2024.
