Numri i lartë i turistëve ka bërë që bizneset të nxitojnë për përgatitjet e sezonit veror. të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë një rritje të fortë të blerjeve të artikujve që nevojiten për sezonin veror. Zakonisht, piku ka qenë në muajin maj, por këtë vit tendenca rritëse e importeve është konstatuar më herët.
Në muajin Prill është regjistruar rekord krahasuar me të njëjtin muaj të viteve të mëparshme. Konkretisht, në terma vjetorë gjatë këtij prilli sasia e importuar e prodhimeve të kashtës u rrit me 268% si dhe vlera e tyre arriti në 12.3 milionë lekë nga 3.3 milionë lekë që ishte vitin e kaluar. Po ashtu paraqiten me rritje edhe importet e çadrave të diellit ku në muajin prill të këtij viti importuam 175% më shumë çadra dielli, vlera e të cilave arriti në 75.6 milionë lekë, ose gati 3 herë më shumë se vitin e kaluar. Edhe për importin e çadrave të diellit regjistrohet një rekord këtë prill, krahasuar me të njejtën periudhë të viteve të kaluara.
