Tregu i materialeve dhe produkteve të ndërtimit në Shqipëri pritet t’i nënshtrohet një regjimi të ri kontrolli, certifikimi dhe gjurmueshmërie, me detyrime të shtuara për prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit, si dhe me gjoba që në shkeljet më të rënda mund të arrijnë në 2% të xhiros vjetore të operatorit.
Projektligji i ri “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit” synon të zëvendësojë kuadrin aktual dhe të përafrojë pjesërisht legjislacionin shqiptar me Rregulloren e BE-së 2024/3110. Objektivi është që produktet që hyjnë në treg të jenë të sigurta, me performancë të dokumentuar, të gjurmueshme dhe në përputhje me kërkesat teknike dhe mjedisore.
Relacioni që shoqëron projektligjin pranon se Shqipëria ka një boshllëk të konsiderueshëm në këtë fushë. Ligji aktual nr. 9290/2004 nuk ka përafruar as rregulloren europiane të vitit 2011 dhe, sipas dokumentit, tregu funksionon ende me praktika të fragmentuara dhe jo të unifikuara. Ndryshimet synojnë pikërisht krijimin e një sistemi kombëtar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës dhe konformitetit të produkteve.
Rregullat e reja do të shtrihen mbi një gamë të gjerë produktesh, përfshirë edhe produktet e përdorura, pjesët kyçe dhe materiale të destinuara për t’u integruar në produktet e ndërtimit. Përkufizimi i produktit të ndërtimit përfshin gjithashtu produktet e printuara në 3D.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përgjegjësinë e operatorëve përgjatë gjithë zinxhirit. Prodhuesit duhet të përcaktojnë tipin e produktit, të vlerësojnë performancën e tij, të hartojnë deklaratën e performancës dhe konformitetit dhe të mbajnë dokumentacionin teknik. Operatorëve u kërkohet të ruajnë dokumentacionin dhe informacionin përkatës për 10 vjet, ndërsa në rast të rrezikut për shëndetin, sigurinë ose mjedisin duhet të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse.
Detyrime të drejtpërdrejta vendosen edhe për importuesit dhe shpërndarësit. Përpara se një produkt të bëhet i disponueshëm në treg, shpërndarësi duhet të verifikojë, sipas regjimit përkatës të zbatueshëm, dokumentacionin dhe etiketimin, deklaratën e performancës dhe konformitetit, si dhe informacionin e sigurisë. Informacioni dhe udhëzimet për përdorimin duhet të jenë të disponueshme në gjuhën shqipe.
Projektligji përfshin në sistemin e përgjegjësisë edhe aktorë që deri tani nuk kanë qenë në qendër të rregullimit të sektorit, si ofruesit e shërbimeve të përmbushjes së porosive dhe platformat e tregtimit online. Në rastet e shitjeve në distancë, informacioni i kërkuar për produktin duhet t’i paraqitet konsumatorit përpara lidhjes së kontratës.
Një pjesë e rëndësishme e reformës është kalimi drejt standardeve europiane të certifikimit. Megjithatë, markimi CE nuk do të bëhet menjëherë i detyrueshëm për produktet shqiptare. Deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ai nuk do të jetë i detyrueshëm, përveçse nëse një marrëveshje Shqipëri-BE parashikon ndryshe. Relacioni argumenton se një detyrim i menjëhershëm do të krijonte kosto teknike dhe financiare që një pjesë e prodhuesve vendas mund të mos ishte në gjendje t’i përballonte.
Për periudhën tranzitore parashikohet ngritja e organeve kombëtare të miratuara, të cilat do të kryejnë funksione të vlerësimit dhe verifikimit përpara anëtarësimit. Instituti i Ndërtimit do të duhet të aplikojë brenda gjashtë muajve për t’u emëruar si Organ i Emëruar Shqiptar për Vlerësimin Teknik dhe duhet të përfundojë procesin e akreditimit brenda dy viteve.
Projektligji vendos edhe një regjim të ri sanksionesh. Sipas relacionit, gjobat për operatorët ekonomikë ndahen në katër nivele: 50 mijë lekë, 100 mijë lekë, 150 mijë lekë dhe 2% të xhiros vjetore, ku për kategorinë e fundit minimumi nuk mund të jetë më i ulët se 200 mijë lekë.
Sanksioni më i rëndë parashikohet për shkelje që lidhen me vendosjen në treg të produkteve pa dokumentacionin e kërkuar, pa deklaratën përkatëse të performancës dhe konformitetit, në rastet kur mungon markimi i kërkuar sipas regjimit të zbatueshëm, apo kur përdoren dokumente të falsifikuara. Përveç gjobave, autoritetet mund të urdhërojnë masa korrigjuese, kufizimin ose pezullimin e tregtimit, tërheqjen nga tregu apo kthimin e produktit.
Ndryshimet kanë edhe një komponent të fortë mjedisor. Ligji kërkon që performanca e produkteve të shihet edhe në raport me ciklin e tyre të jetës, riciklimin, ripërdorimin dhe ndikimin në mjedis. Vetë qëllimi i projektligjit lidh funksionimin e tregut me digjitalizimin dhe ekonominë e gjelbër.
Parashikohet gjithashtu kalimi drejt pasaportës digjitale të produktit. Por Shqipëria nuk do të ndërtojë një sistem paralel kombëtar. Dispozitat për pasaportën digjitale do të zbatohen kur vendi të fitojë akses në sistemin europian ose në momentin e anëtarësimit në BE, cilado të ndodhë më parë.
Zbatimi do të jetë gradual. Ligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa pjesa kryesore e dispozitave do të fillojë të zbatohet një vit më vonë. Për disa kërkesa mjedisore dhe teknike janë përcaktuar afate të posaçme që shkojnë deri në vitet 2027, 2030 dhe 2032. Ndërkohë, kuadri tranzitor europian për disa instrumente do të vazhdojë deri më 9 janar 2040.
Me hyrjen e plotë në sistemin e ri, mbikëqyrja e tregut do të ketë kompetenca më të qarta për kontrollin e produkteve, dokumentacionit dhe operatorëve. Synimi përfundimtar është që tregu shqiptar i materialeve të ndërtimit të kalojë nga një sistem relativisht i fragmentuar në një regjim ku siguria, performanca, origjina dhe përputhshmëria e produktit të jenë të dokumentueshme përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit. Sipas relacionit, kjo duhet njëkohësisht të përgatisë prodhuesit shqiptarë për konkurrencën në tregun e përbashkët europian dhe autoritetet për zbatimin e drejtpërdrejtë të rregullores europiane pas anëtarësimit./ekofin.al
