Administrata Tatimore ka rikujtuar tatimpaguesit për afatet që duhet të respektojnë për të përfituar nga skema e faljes me kusht të detyrimeve tatimore të papaguara, e cila parashikon fshirjen e një pjese të principalit, si dhe të gjobave dhe kamatëvonesave.
Sipas njoftimit të Tatimeve, 30 nëntori 2026 është afati i fundit për tatimpaguesit që kanë detyrime në proces ankimi administrativ ose gjyqësor dhe që duan të përfitojnë nga skema.
Për këta tatimpagues kërkohet heqja dorë nga ankimi administrativ ose gjyqësor, pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse. Administrata Tatimore thekson se akti i heqjes dorë duhet të paraqitet përpara kryerjes së pagesës.
Ndërkohë, 31 dhjetori 2026 është afati përfundimtar për kryerjen e pagesave që mundësojnë përfitimin nga falja me kusht.
Për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 2015–2019, tatimpaguesit duhet të paguajnë 75% të detyrimit principal. Nëse plotësohet ky kusht, përfitohet shuarja e 25% të mbetur të detyrimit principal, si edhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave.
Për detyrimet që i përkasin periudhës 2020–2024, kushti është pagesa e 100% të detyrimit principal. Pas pagesës së plotë të principalit, tatimpaguesi përfiton fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave që lidhen me këto detyrime.
Në këtë mënyrë, skema është më favorizuese për detyrimet më të vjetra, pasi për periudhën 2015–2019 parashikohet jo vetëm eliminimi i penaliteteve dhe kamatëvonesave, por edhe falja e një të katërtës së principalit.
Tatimpaguesit që synojnë të përfitojnë duhet t’u kushtojnë vëmendje dy afateve kryesore: 30 nëntorit, në rastet kur detyrimet janë objekt ankimi, dhe 31 dhjetorit 2026, për pagesën e shumave të kërkuara sipas periudhës së krijimit të detyrimit.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje subjekteve të interesuara të veprojnë brenda afateve, pasi respektimi i procedurave dhe kryerja e pagesës përkatëse janë kusht për përfitimin nga fshirja e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave./ekofin.al
