Ekonomia shqiptare po shfaq shenja të qëndrueshme gjallërimi, e reflektuar në ritmet e rritjes së sipërmarrjeve të reja të regjistruara gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, gjatë periudhës janar-shtator janë regjistruar mbi 17500 subjekte të reja, çka dëshmon për një besim në rritje të qytetarëve dhe investitorëve në klimën ekonomike të vendit, si dhe për efektivitetin e reformave që kanë synuar lehtësimin e procedurave të regjistrimit të bizneseve.
Vetëm në muajin shtator janë shtuar mbi 1400 biznese të reja në tregun shqiptar.
Në një panoramë më të gjerë, në fund të vitit 2024, numri i njësive ligjore aktive në vend arriti në 237 881, një rritje krahasuar me 226 778 të një viti më parë. Shpërndarja e këtyre ndërmarrjeve mbetet e përqendruar kryesisht në qarqet më të zhvilluara të vendit, ku Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora përbëjnë së bashku mbi 66% të bizneseve aktive.
Tirana vijon të mbajë pozicionin kryesor si qarku me më shumë biznese, me gjithsej 63 212 ndërmarrje aktive.
Struktura ekonomike e sipërmarrjeve shqiptare është e orientuar drejt sektorit të shërbimeve, i cili përfaqëson 86% të ndërmarrjeve në total dhe siguron 67,1% të xhiros vjetore. Brenda këtij sektori, tregtia mbetet një prej hallkave kryesore të punësimit, duke angazhuar 19,5% të forcës punëtore në vend. Ndërkohë, sektori prodhues, ndonëse më i vogël në numër, me vetëm 14% të bizneseve, mbart një peshë të konsiderueshme në ekonominë kombëtare, duke kontribuar me 32,9% të xhiros dhe duke përfshirë 17,3% të të punësuarve.
Profili i sipërmarrjes shqiptare dominohet nga ndërmarrjet e vogla, ku 85,8% e tyre janë mikrobiznese me nga një deri në katër të punësuar. Këto struktura të vogla, ndonëse me burime të kufizuara, kanë një rol të rëndësishëm në dinamizmin e ekonomisë vendase, duke kontribuar me 22,6% të punësimit dhe duke realizuar 18,7% të xhiros vjetore. /atsh




