Sistemi i pagesave ndërbankare AIPS në euro, në vitin e tretë të operimit, pasi nisi funksionalitetin në janar 2022, po vijon të kursejë kohë dhe kosto shtesë për tranksionet e individëve dhe bizneseve.
Përpara se sistemi të bëhej operativ, këto transferta ishin të ndërlikuara pasi realizoheshin vetëm përmes llogarive që bankat shqiptare mbanin në banka korrespondente jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në prill të vitit 2024 është shënuar një rritje në volumin e transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS. Konkretisht, në prill të këtij viti janë realizuar 26,612 transaksione, krahasuar me 23,255 transaksione të realizuara në muajin paraardhës. Nëse do të analizojmë historikun e të dhënave përgjatë 4-mujorit të parë të vitit aktual rezulton se në muajin Prill u realizua edhe numri më i lartë i transaksioneve si në vlerë ashtu edhe në numër.
Siç raporton Banka e Shqipërisë, në 4 muajt e parë të vitit janë realizuar transaksione në vlerën 1.5 miliardë euro përmes sistemit AIPS.
Numri i transaksioneve dhe vlera e pagesave të transferuara përmes këtij sistemi kanë shënuar një rritje muaj pas muaji. Në fund të katërmujorit të pare, numri i transaksioneve përmes sistemit AIPS shënoi rritje me 23%. Gjithashtu, edhe vlera e transaksioneve ka ndjekur të njëjtën linjë, konkretisht, kjo vlerë u rrit nga 349 milionë euro në 454 milionë euro.
Sistemi AIPS përveçse ka sjellë lehtësimin e kryerjes së transaksioneve si dhe minimizimin e vonesave ai ka kursyer shqiptarët përsa i përket pagesave në Euro, pasi për një transfertë prej 100 mijë eurosh paguhej diçka më shumë se 200 euro komision përmes sistemit të bankës korrespondente, ndërkohë që aktualisht sistemi AIPS ka vendosur komisione tavan që nuk mund të kalojnë vlerën e 50 eurove. Ky komision aplikohet për shuma më të mëdha se 10 mijë euro, ndërsa në rastin e pagesave më të vogla se 10 mijë euro komisioni nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.
