336 apartamente iu dorëzuan banorëve të Krujës, të cilëve iu dëmtuan shtëpitë e vjetra nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Rama bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ishin në këtë lagje të re për t’iu dorëzuar çelësat e apartamenteve të reja disa prej banorëve.
Kryeministri takoi disa nga qytetarët përfitues nga Programi i Rindërtimit, të cilët shprehën falënderime dhe mirënjohjen për punën e bërë. Çdo godinë është e pajisur dhe me parkimin nëntokësor, ndërkohë shorti vazhdon për të gjithë banorët përfitues.
Në Krujë kjo është lagja që përmbyll Programin e Rindërtimit i cili ka krijuar kushtet optimale që familjet të kenë sërish shtëpinë e tyre të re, më të fortë, më të bukur dhe mbi të gjitha falas.
