Në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit, sot nisi zyrtarisht viti i ri akademik 2025-2026. Auditorët janë hapur për mijëra studentë të rinj, ndonëse shifrat tregojnë një rënie të ndjeshme të regjistrimeve krahasuar me vitet e mëparshme.
Sipas të dhënave paraprake nga sistemi i aplikimeve, deri në përfundim të raundit të dytë pritet që numri i studentëve të regjistruar për herë të parë të arrijë rreth 20 mijë, ndërsa me mbylljen e raundit të tretë, që zhvillohet nga 13 deri më 24 tetor 2025, shifra totale parashikohet të arrijë në rreth 22 mijë studentë.
Nëse krahasohet me vitin e kaluar akademik, kur në auditorë u ulën për herë të parë rreth 24.500 studentë, numri i sivjetshëm paraqet një ulje me të paktën 10%. Tendenca rënëse është edhe më e theksuar në raport me para pesë viteve, kur universitetet regjistronin mbi 30 mijë studentë të rinj në vit.
Degët më të kërkuara
Edhe këtë vit, programet e studimit që lidhen me shëndetësinë mbeten më të kërkuarat: Mjekësia e Përgjithshme, Infermieria, Stomatologjia dhe Farmacia janë në krye të listës së preferencave të maturantëve. Interes i lartë është shënuar gjithashtu për teknologjinë e informacionit dhe inxhinieritë, ndërsa degë si shkencat sociale, ekonomia apo mësuesia po përballen me rënie të vazhdueshme të regjistrimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi gjysma e maturantëve të këtij viti kanë zgjedhur degë në fushat e shëndetësisë dhe TIK-ut, duke reflektuar prirjen drejt profesioneve që ofrojnë më shumë mundësi punësimi në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Procesi i regjistrimeve dhe ofertat e reja
Raundi i dytë i regjistrimeve në universitete vijon deri më 8 tetor, në pesë faza 48-orëshe, ndërsa raundi i tretë pritet të mbyllet në fund të muajit tetor.
Falë procesit të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, universitetet shqiptare ofrojnë gjithnjë e më shumë programe të përbashkëta dhe dygjuhëshe, si dhe bashkëpunime me institucione të huaja partnere. Këto programe synojnë të rrisin cilësinë akademike dhe të tërheqin edhe studentë të huaj, duke e bërë sistemin universitar shqiptar më konkurrues në rajon.
Megjithatë, sfida e madhe për mbetet rënia e numrit të regjistrimeve, që lidhet me uljen e numrit të maturantëve, emigracionin e të rinjve dhe orientimin gjithnjë e më të madh drejt universiteteve jashtë vendit.

