“Shqipëria është nga vendet e pakta në rajon që e ka të fjetur industrinë ushtarake. Ka nevojë për investime, investitorë, ndërmarrjet shtetërore i kemi në proces transformimi në Sh. A. për ta riaktivizuar përmes investimeve për të zhvilluar industri. Tani jemi edhe më të qartë për të negociuar. Ne duhet të ndryshojmë qasjen, nga “Shqipëria 1 euro” të “Shqipëria partnere”, tha Peleshi.
Nëpërmjet kësaj deklarate rreth një muaj më parë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i parapriu “rizgjimit” të industrisë se prodhimit të armëve ushtarake në Shqipëri. Ndërkohë, sapo ka dalë për konsultim publik projektligji “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që është edhe hartuesja e këtij dokumenti, projektligji ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë “KAYO sh.a”.
Nëpërmjet kësaj nisme bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare më të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar. “Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, -në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s”, theksohet në relacionin e projektligjit.
Gjithashtu ky proces ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, me anë të kësaj nisme ndërmerret hapi i parë drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake. Në këtë mënyrë, Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
