Kur themi Lunaria, e kemi idenë se bëhet fjalë për një lule. Për Olsiana Ajdinin, nuk është thjesht një lule, është art. “Lule N’Art”, ekspozita e veçantë e hapur në Hotel Plazza deri në 31 maj, të fut në botën e luleve, artit, kostumeve popullore, mbi të cilat, qëndron plot art e plot lule Xhubleta.
Lunaria është një lule e pashoqe nga bukuria, që nuk vjetërohet kur e përdor e kur ua tregon të tjerëve. Përkundër kësaj, shumëkush thotë vetmevete: Sa kohë është dashur të realizohen këto kryevepra lulesh.
Olsiana që menaxhon më së miri “flower caffe”, një vendtakimi mes luleve, bisedave, shoqërisë, e bukurisë, tani e ka kthyer në qëllim dhe pasion jete edhe shkëlqimin më të cilin duhet të zbukurojë ambientet, pse jo dhe njerëzit.
Kalimi nga dhuratat me lule të thara, tek ekspozita, me kostumet popullore realizuar vetëm prej lulesh, është një sfidë e bukur më vete, që jo çdokush mund ta kuptojë siç duhet, ama, ata që e kuptojnë dhe e shijojnë, e dashurojnë deri në pafundësi.
Këto lule, duke mbetur ashtu të thara dhe të bukura e mbajnë të paprekur prestigjin e fuqisë së tyre e pse jo, të gjitha kornizat e kostumeve popullore, duket se flasin me një mburrje vetëpëlqyese që i kanë qejf ti nënshtrojnë ata vizitorë që rrinë e i kundrojnë me admirim për minuta të tëra, duke u lënë të pafrymë në pyetjet: cilat lule janë përdorur? Sa kohë është dashur për ti tharë? Si janë dizenjuar, skicuar, vendosur aty ku duhet?
Përshembull, për Xhubletën, Olsiana thotë se i është dashur plot një vit ta dizenjojë, e disa muaj ta realizojë. Plus minus, është një vepër arti që i ka ngrënë plot 1 vit kohë. Eshtë një sfidë e heshtur me kohën, të cilën, duket se me realizimin e kësaj ekspozite, Olsiana e ka fituar.
Por le të udhëtojmë pak tek ekspozita e saj.
Veç Xhubletës që e ndricuar me drita nga brenda të dukej si një kostum i gjallë, (i tillë është në fakt pavarësisht nga lulet), është kryevepra: fshati i Dhërmiut, piktura më e madhe e bërë ndonjëherë me lule natyrale të thara. Inspiruar nga një foto, shkruan Olsiana, janë 787 orë punë dhe 163,500 copëza lulesh të qepura një e nga një për ta realizuar. Një vepër, që të lë pa frymë.
Të dëshirosh të jesh e lirë në krijim, do të thotë të kërkosh të heqësh pengesat që dalin përpara, dhe duket se Olsiana ia ka arritur. Ka një imagjinatë shumë të gjallë dhe duket se kompozon nga gjërat e njohura, tek ato të panjohurat dhe më befasueset.
Të tilla janë edhe kostumet e traditës dibrane, përgatitur me lule bishtmace, lunaria, bishtdhelpër, çaj mali, eucaluptus dhe gjembac. Janë të gjitha lule të mbledhura në Shqipëri, që kanë kaluar procesin e tharjes për një kohë të gjatë, me teknika të veçanta, derisa kanë mbërritur në telhajo për të ardhur drejt e në ekspozitë.
Lahuta e malsisë, Përmetarja, veshjet e shqipërisë së mesme, vallja çame, vallja e Shqipërisë së Mesme, e shumë të tjera, përbëjnë atë që quhet “Koleksioni i Traditës” për Lunarian.
Kush nuk e ka parë këtë ekspozitë të veçantë duhet të kalojë dhe të kundrojë të bukurën qoftë edhe për një orë të vetme. Nëse do të qëndroni aty para, do të kuptoni se janë me mijëra orë pune për të sjellë të bukurën jo si një sinonim të lavdisë, por si një mundësi për t’iu larguar sa më shumë mjerimit të realitetit ku jetojmë, nëpërmjet të bukurës që shpërfaqet me madhështinë e luleve.
