Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e Shqipëria 2030 për turizmin nuk kurseu kritikat për zaptuesit e bregdetit, ndërsa i cilësoi si “plazhe të dhunuara”.
“Ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara. Nuk ka arsye më, që plazhi publik i Ksamilit të jetë një plazh privat.
Plazhi i Dhërmiut, nuk ka më nevojë fare, të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera, për të vendosur çadra, për të vendosur shezlongë dhe për të vendosur beach bare që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe që hedhin ujërat e zeza në det. Kështu që ne do ta ndalojmë muzikën, nuk do të ketë më muzikë në beach bare.”
Teksa deklaroi shifrat pozitive të sezonit turistik, ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, theksoi se po bëhet gati një platformë e re e integruar e turizmit.
“Shqipëria Turistike 2030, do të ketë një instrument të ri që është platforma e integruar digjitale e turizmit. Me tre elementë kryesor: regjistrin kombëtar digjital të turizmit për të gjitha sipërmarrjet turistike. Platformën digjitale e-visitor, për regjistrimin elektronik dhe gjurmimin në kohë reale të visitorëve në strukturat akomoduese dhe çdo aktivitet tjetër të sektorit dhe e treta, një sistem të integruar të mbledhjes dhe analizimit të statistikave në sektorin e turizmit, përmes sistemit të të dhënave në turizëm.”

