Grupi BALFIN vijon të zgjerojë investimet në Austri, duke u bërë së fundmi zotërues me 100% i një prej ndërtesave më ikonike në zemër të Vjenës.
Një fakt i tillë u bë i ditur nga Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, i cili shkruan në rrjetet sociale:
“Përgëzime Grupit BALFIN për blerjen e kësaj pasurie ikonike në zemër të Vjenës. E ndërtuar në vitin 1872, kjo ndërtesë historike ishte dikur një nga hotelet e para luksoze në Vjenë. Sot është në pronësi 100% të Grupit BALFIN. Kjo ndërtesë nuk është thjesht pjesë e trashëgimisë arkitekturore të Austrisë, është simbol i historisë, qëndrueshmërisë dhe transformimit. Në Grupin BALFIN, jemi të nderuar që do t’i rikthejmë shkëlqimin dhe do t’i japim jetë të re kësaj vepre arkitekturore. Vizioni ynë është të ruajmë vlerat artistike dhe kulturore të saj, duke e shndërruar njëkohësisht në një hapësirë moderne që i përgjigjet nevojave në zhvillim të qytetit. Nga skulpturat mbresëlënëse të kariatideve deri te fasada monumentale, çdo detaj do të trajtohet me kujdes dhe qëllim të veçantë. Kjo përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në misionin tonë për të krijuar vlera afatgjata përmes investimeve të zgjuara, të qëndrueshme dhe me kuptim, kudo në botë.”
Ndërtesa Bundesbahndirektionsgebäude (Ndërtesa e Drejtorisë Federale të Hekurudhave) në Vjenë, Austri ndodhet në Nordbahnstraße 50, në distriktin e dytë të kryeqytetit austriak.
Fillimisht u ndërtua në vitin 1872 si “Hotel Donau” për Ekspozitën Botërore të Vjenës në vitin 1873, ndërsa nga viti 1892 shërbeu si seli për Hekurudhën Veriore të Perandorit Ferdinand dhe më vonë u bë seli e Hekurudhave Shtetërore Perandorake dhe Mbretërore si dhe e Bundesbahndirektion Wien (Drejtoria Federale e Hekurudhave në Vjenë) pas shtetëzimit në vitin 1907.
Ndërtesa është një monument historik i mbrojtur dhe ndodhet përballë godinës së vjetër të Nordbahnhof (Stacioni Verior), e cila u shemb në vitin 1965.
Grupi BALFIN nuk ka bërë ende të ditur vlerën e investimit për blerjen e godinës, por sipas vlerësimeve llogaritet të kushtojë mes 35-40 milionë euro.
Ekofin.al mëson se prona ka një sipërfaqe toke prej 8,104 m², ku godina ofron rreth 16,000 m² sipërfaqe bruto ndërtimi, e shpërndarë në një bodrum, katin përdhe dhe pesë kate mbi tokë. Aktualisht godina është e papërdorur, por sipas burimeve të ekofin.al, prona do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë për të përmbushur kërkesat bashkëkohore të tregut dhe funksionalitetin e ardhshëm.
Aktualisht po vlerësohen disa skenarë zhvillimi, me fokus kryesor në përdorime që lidhen me mikpritjen, siç janë akomodimi për studentë, hotel apo apartamente me shërbim.
Konglomerati shqiptar ka realizuar vitet e fundit një sërë investimesh në Austri, duke rritur portofolin e pronave në qytete kyçe si Vjena, Linz dhe Salzburgu, si dhe në zona turistike me atraksione natyrore.
Aktualisht, Balfin Austria menaxhon asete me vlerë mbi 100 milionë euro, përfshirë tri njësi banimi urbane në Vjenë dhe tre rezidenca premium për pushime në qytetin buzë liqenit Gmunden.
Kompania ka deklaruar se në afatmesëm, planifikon të zgjerojë më tej portofolin në Austri duke arritur në investime me vlerë totale 200 milionë euro brenda pesë viteve të ardhshme.
Presidenti i BALFIN, Samir Mane, ka një lidhje të veçantë me Austrinë dhe në veçanti me Vjenën, vendi ku fillimisht emigroi dhe prej ku u diplomua në Universitetin Teknik të Vjenës, si edhe nisi hapat e parë në sipërmarrje, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku ngriti hap pas hapi perandorinë e tij të biznesit. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


