Ashtu siç kishte paralajmëruar, Qeveria do të realizojë shpërndarjen e grantit për pushtetin vendor bazuar në performancën e këtij të fundit. Në këtë kuadër, Ministria e Financave dhe Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor kanë publikuar Udhëzimin e Përbashkët që përcakton kriteret, procedurat dhe treguesit për shpërndarjen e grantit të bazuar në performancë për bashkitë në vitin 2025.
Qëllimi i grantit të bazuar në performancë është: të nxisë dhe fuqizojë bashkitë për të rritur efikasitetin dhe cilësinë e qeverisjes së tyre, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve për gratë, burrat, të rejat, të rinjtë, vajzat dhe djemtë, në të gjithë diversitetin e tyre, në të gjithë territorin ku bashkitë ushtrojnë veprimtarinë e tyre;
të përmirësojë veprimtarinë e strukturave administrative të bashkive dhe krijimin e një kulture të praktikave të mira në administratën publike vendore;
të nxisë dhe mundësojë ofrimin e shërbimeve në përputhje me standardet minimale ligjore, sipas legjislacionit në fuqi;
të nxisë performancën në një shkallë të lartë, duke krijuar një klimë konkuruese ku bashkitë përpiqen të përmirësojnë shërbimet e ofruara me standarde dhe në përputhje me nevojat specifike për gratë, burrat, të rejat, të rinjtë, vajzat dhe djemtë, në të gjithë diversitetin e tyre, në të gjithë territorin ku bashkitë ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Të gjitha bashkitë e vendit kanë të drejtë të aplikojnë, me kusht që të përmbushin treguesit e përcaktuar në udhëzim.

Granti për vitin 2025 do të ketë një vlerë totale prej 460 milionë lekësh, të ndarë në 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit si pjesë e transfertës së pakushtëzuar sektoriale, 260 milionë lekë nga donatorë të huaj, konkretisht Qeveria e Zvicrës (përmes SDC) dhe Qeveria e Suedisë (përmes SIDA-s), në kuadër të projektit “Bashki të Forta – Faza II”.
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) do të veprojë si sekretariat teknik dhe do të organizojë thirrjen për aplikime, e cila mbyllet më 17 Shtator 2025, ora 16:00. Dokumentacioni duhet të përmbajë dëshmi për secilin tregues performance që kërkohet për vlerësim.
Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve (KVA), i përbërë nga përfaqësues të institucioneve përkatëse dhe donatorëve, do të kryejë vlerësimin e aplikimeve dhe do të publikojë rezultatet paraprake dhe më pas ato përfundimtare.
Fondi do të disbursohet si transfertë e pakushtëzuar sektoriale, por nuk mund të përdoret për paga apo shpërblime. Ai mbetet në dispozicion të bashkive për projektet përkatëse edhe nëse nuk shpenzohet brenda vitit 2025, duke u transferuar për përdorim në vitin 2026.
Donatorët kanë të drejtë të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e vlerësimit dhe administrimit të fondit dhe mund të japin komente me shkrim pa penguar procesin.
Fondi i GBP-së shpërndahet për çdo bashki sipas një sistem matjeje të performancës që vlerëson përmbushjen e treguesve të vendosur.
Bashkive që përmbushin treguesit e GBP-së në vitin 2025 do t’u shpërndahet: një shumë që është proporcionale me peshën e caktuar për secilin tregues, si më poshtë; një fond shtesë që përllogaritet proporcionalisht në bazë të fondeve të mbetura dhe treguesve të përmbushur.

Shpërndarja e fondeve bëhet sipas dy komponentëve: shumës fikse dhe shumës shtesë.
Fondi i pashpërndarë në TSA gjatë vitit buxhetor, shpërndahet në vitin buxhetor pasardhës për të njëjtin qëllim, vetëm me vendim të Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve.
Gjendja e fondit të prokuruar dhe të papërdorur nga bashkitë në fund të vitit buxhetor trashëgohet në vitin buxhetor pasardhës dhe përdoret për to njëjtat projekte/produkte për të cilin është prokuruar.
Gjendja e fondit të ngelur tepricë nga procesi i prokurimit përdoret nga bashkitë për qëllime të tjera që ato gjykojnë dhe vendosin me vendim të këshillit bashkiak./ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

