Ministri i Financave, Ervin Mete, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme të Kuvendit u shpreh se Akti Normativ për ndryshime në Buxhetin e vitit 2024, reflekton ndryshimet e nevojshme në kuadër të riorganizimit të ministrive. Gjithashtu, ky ASkt Normativ realizon disa ndryshime sa i përket të ardhurave dhe shpenzimeve, për të reflektuar rritje të të ardhurave dhe optimizim të shpenzimeve, duke ulur nëtë njëjtën kohë deficitin buxhetor.
Mete tha se ekonomia ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë vitit 2023 dhe se kjo ecuri e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024.
“Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, ka arritur nivele të larta historike. Gjithashtu, tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë rritje të përshpejtuar. Gjatë vitit 2023, rishikuam në rritje projeksionet për rritjen reale të vitit 2023 në 3.5% nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar, konfirmuar kjo edhe nga Banka Botërore dhe FMN, të cilët po ashtu rishikuan në rritje parashikimet e tyre për ekonominë gjatë vitit 2023. Ecuria e mirë e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës. Punësimi shënoi rritje, ndërsa shkalla e papunësisë në fund të vitit 2023 zbriti në 10.7%, një nga normat më të ulëta historike,” u shpreh ndër të tjera ministri Mete.
Ai tha gjithashtu se edhe inflacioni ka qenë më i ulët se në vendet e rajonit apo mesatarja e Bashkimit Europian duke zbritur në muajin shkurt në nivelin 2.6%. nga ana tjetër gjatë vitit 2023 ekonomia e vendit ka regjistruar për herë të parë një suficit të llogarisë korente dhe pritshmëritë janë për një përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me trendet historike.
“Investimet e huaja direkte kanë vijuar trendin rritës. Në fund të nëntëmujorit 2023 ato arritën në 1.1 miliardë Euro, 10.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Konsolidimi fiskal shënoi një tjetër arritje pozitive. Borxhi publik, një tregues kyç i qëndrueshmërisë së financave publike, ra poshtë nivelit 60% të PBB-së, duke arritur në 59.2% në fund të vitit 2023, niveli më i ulët që nga viti 2010. Ky përmirësim, përveçse ul koston e huamarrjes, rrit sigurinë e vendit për përballimin e goditjeve të mundshme në tëardhmen,” tha më tej ministri.
“Përmirësim të ndjeshëm, – shtoi ai, ka shënuar edhe skema e pensioneve, ku të ardhurat kontributive arritën në 134 miliardë lekë në vitin 2023, dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës së vitit 2015”. Konkretisht, deficiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8% të PBB-së në vitin 2023, që rezulton edhe niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga 1.93% e PBB-së që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve.
Kjo performancë e mirë tha ministri i Financave, po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024, ku sipas të dhënave për periudhën Janar-Shkurt, të ardhurat totale arritën në rreth 104 miliardë lekë, ose 4.9% mbi planin.
“Me Aktin Normativ të prezantuar sot janë rishikuar në rritje të ardhurat për vitin 2024, duke arritur në 28.2% e PBB-së, që përbën nivelin më të lartë historik të synuar. Sa i përket shpenzimeve publike, për vitin 2023, ato arritën afro 675 miliardë lekë, me një realizim 95.6% sipas planit vjetor të ndryshuar me aktin normativ të dhjetorit. Investimet publike në vitin 2023 u realizuan në rreth 5% të PBB-së, ndërsa në buxhetin e vitit 2024, financimi i investimeve publike parashikohet të arrijë 5.6% e PBB-së, duke mbështetur rritjen e mëtejshme ekonomike, zhvillimin e turizmit, infrastrukturën, si edhe duke nxitur më tej punësimin,” nënvizoi Mete.
Pjesë e rëndësishme e këtij Akti Normativ është mbështetja përmes Instrumentit të Garancisë Shtetërore, në vlerë prej 4 miliardë lekë për bizneset e sektorit të industrisë përpunuese fason.
Ministri Mete informoi se buxheti 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Ky buxhet, parashikon rritjen e mëtejshme të pagave edhe për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, mësuesit, forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qëndrore dhe për punonjësit e pushtetit vendor.
Po ashtu në buxhetin 2024 do të reaalizohet indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për 717 mijë pensionistë.
Sektorët e Arsimit dhe Shëndetësisë do të vijojnë tëfinancohen në nivelin mbi 3% të PBB-së. Ndërsa për sektorin e Mbrojtjes për herë të parë arrihet objektivi i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së.
