Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot se, “inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të shpejtë gjatë dy muajve të parë të vitit”.
Në konferencën për mediet Sejko bëri të ditur se, “inflacioni ra nga niveli mesatar prej 3.9% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, në nivelin mesatar prej 3% në muajt janar – shkurt të vitit aktual. Kjo rënie pasqyroi reduktimin e shpejtë të inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë u shfaq më i qëndrueshëm”.
Sipas tij, në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u ndikua nga reduktimi i inflacionit të importuar. Në veçanti, rënia e shpejtë e inflacionit të ushqimeve pasqyroi një dukuri rajonale dhe evropiane, të diktuar nga rritja e ofertës për këto produkte.
Banka e Shqipërisë vijoi Sejko, bazuar në informacionin aktual, gjykon se efektet në inflacion të kësaj goditjeje do të vijojnë të jenë të pranishme edhe për disa muaj në vazhdim.
“Inflacioni parashikohet të luhatet rreth objektivit gjatë periudhës në vijim. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, për stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun vendas, si dhe për normalizimin e inflacionit në ambientin e huaj. Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës sugjeron se balanca e rreziqeve mbi ecurinë e inflacionit është neutrale. Në veçanti, intensifikimi i mundshëm i tensioneve gjeopolitike mund të çojë në rritje të inflacionit, ndërsa rënia e mëtejshme e çmimeve të ushqimeve në tregjet e brendshme e të huaja mund të sjellë nivele më të ulëta inflacioni”, deklaroi guvernatori.
