Përplasja mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-këshilltarit të tij Elon Musk ka shpërthyer në publik, me të dy miliarderët që kanë shkëmbyer fyerje pas kritikave të Musk ndaj një prej politikave kryesore të Trump në fushën e taksave dhe shpenzimeve.
Tensionet u rritën gjatë gjithë ditës së enjte, me të dy që hodhën thumbime ndaj njëri-tjetrit në platformat e tyre të mediave sociale, duke sinjalizuar një fund të hidhur të aleancës së tyre të pazakontë.
Dita nisi me deklaratën e Trump se ishte “i zhgënjyer” nga kritikat e Musk ndaj projektligjit të tij të famshëm për taksat dhe shpenzimet, duke shtuar se kjo mund të ishte fundi i “marrëdhënies së tyre të shkëlqyer”.
Musk reagoi duke akuzuar Trump për “mosmirënjohje”, duke shtuar: “Pa mua, Trump do ta kishte humbur zgjedhjet.”
Pas disa orësh përplasjesh, Trump e zbuti tonin duke thënë për Politico: “Është në rregull. Gjithçka po ecën shumë mirë, kurrë më mirë.” Sipas të njëjtës media, ndihmësit e tij kanë planifikuar një telefonatë me Musk për të premten.
Edhe Musk dukej se dëshironte të qetësonte situatën. Më vonë, si përgjigje ndaj një postimi të Bill Ackman, mbështetës i Trump që propozoi pajtimin mes tyre, ai shkroi: “Nuk gabohesh.”
Pika e kthesës në marrëdhënien e tyre erdhi pas javësh lobimi nga ana e Musk kundër projektligjit të madh të Trump, i cili u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar dhe pret votimin në Senat.
Pasi u largua nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë (Doge) pas 129 ditësh pune, Musk e quajti projektligjin në platformën e tij X “një neveri e neveritshme” dhe postoi: “Turp për ata që votuan pro – e dini që bëtë gabim.”
Ai argumentoi se projektligji do të shtonte papërgjegjshmërisht borxhin kombëtar të SHBA dhe u kërkoi ndjekësve të tij të telefonojnë përfaqësuesit e tyre për të shprehur kundërshtimin ndaj këtij plani shpenzimesh.
Gjatë një konference shtypi me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Trump e mbrojti projektligjin dhe tha: “Jam shumë i zhgënjyer sepse Elon e njihte më mirë se kushdo tjetër strukturën e brendshme të këtij projektligji. Papritur pati një problem.”
Ai sugjeroi se Musk ishte i shqetësuar për heqjen e subvencioneve dhe detyrimeve për automjetet elektrike, gjë që mund të ndikojë në biznesin e tij me Tesla.
Musk e mohoi këtë, duke shkruar: “Mbajeni prerjen e subvencioneve për EV/solar në projektligj, edhe pse subvencionet për naftën dhe gazin nuk preken fare (shumë padrejtësi!!), por hiqni MALIN e SHPËRDORIMEVE të NEVERITSHME në këtë ligj.”
Termi “pork” në politikën amerikane i referohet shpenzimeve të tepruara të qeverisë, zakonisht të dizajnuara për të favorizuar interesa të veçanta lokale.
Partneriteti mes Trump dhe Musk filloi kur Musk e mbështeti publikisht Trump në korrik pas një atentati ndaj tij në Pennsylvania. Sipas raportimeve, Musk investoi rreth 290 milionë dollarë për ta rikthyer Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në një sërë postimesh në X pas konferencës për shtyp, Musk e mori kredinë për fitoren e madhe republikane në zgjedhjet e nëntorit, duke shkruar: “Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet, Demokratët do të kontrollonin Dhomën dhe Republikanët do të ishin 51–49 në Senat.” Ai shtoi: “Kaq mosmirënjohës.”
Më vonë, Musk postoi një sondazh, duke pyetur ndjekësit: “A është koha për të krijuar një parti të re politike në SHBA që përfaqëson 80% e qendrës?”
Më tej, ai ri-postoi një thirrje për dorëheqjen e Trump, kritikoi planin tarifor global të presidentit si të dëmshëm për ekonominë amerikane, dhe sugjeroi pa prova se Trump ndodhet në dosjet e pazbuluara lidhur me trafikantin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Epstein u arrestua në korrik 2019 për trafik seksual dhe vdiq në burg në pritje të gjykimit. Trump, në atë kohë president, kishte thënë se e njihte Epstein “si të gjithë në Palm Beach” por se kishin ndërprerë marrëdhëniet “prej kohësh.”
Shtëpia e Bardhë dënoi pretendimet e Musk, me sekretaren për shtyp Karoline Leavitt duke deklaruar: “Kjo është një shfaqje për të ardhur keq nga Elon, i cili është i pakënaqur me Projektligjin e Madh të Bukur sepse nuk përfshiu politikat që ai dëshironte.”
Në rrjetin e tij Truth Social, Trump shkroi se Musk “thjesht U ÇMEND” dhe postoi: “Mënyra më e lehtë për të kursyer miliarda dollarë nga buxheti ynë është të ndërpresim subvencionet dhe kontratat qeveritare të Elon. Jam habitur që Biden nuk e bëri!”
Kompanitë e Musk, përfshirë Tesla, SpaceX dhe Starlink kanë kontrata të drejtpërdrejta me qeverinë amerikane dhe përfitojnë nga subvencione dhe lehtësime fiskale.
Musk reagoi duke thënë se SpaceX do të fillojë menjëherë çaktivizimin e anijes kozmike Dragon, e cila përdoret për të transportuar njerëz dhe furnizime në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Aksionet e Tesla ranë me 14% brenda pak orëve pasi përplasja shpërtheu në publik.
Sipas Zyrës së Pavarur për Buxhetin e Kongresit Amerikan, projektligji për shpenzimet do të shtojë 2.4 trilionë dollarë në borxhin kombëtar të SHBA për 10 vitet e ardhshme dhe do të lërë gati 11 milionë persona pa sigurim shëndetësor të mbështetur nga shteti.
Shtëpia e Bardhë i kundërshton këto shifra, duke thënë se ato nuk marrin parasysh të ardhurat e mundshme nga tarifat e reja.
Në drejtimin e Doge, Musk nisi pushime masive nga puna dhe eliminoi agjenci të tëra, përfshirë USAID. Ai pretendon se Doge ka kursyer 180 miliardë dollarë, ndonëse kjo shifër është e diskutueshme dhe shumë më pak se objektivi fillestar prej 2 trilionë dollarësh./Përshtati nga BBC, ekofin.al

