Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për media me Sekretarin Amerikan të Shtetit Blinken nënvizoi nevojën dhe rëndësinë e investimeve amerikane në Shqipëri. Më tej Rama theksoi se vendi ofron potenciale të mëdha në fushën e energjisë dhe informoi se temë e diskutimeve ishin edhe dimensionet e bashkëpunimit bilateral. “Ky është jo vetëm një bashkëpunim strategjik i pandërprerë në fushën e sigurisë, por është një bashkëpunim që po merr gjithnjë e më shumë një përmasë ekonomike. Për ne është e padiskutueshme nevoja dhe rëndësia e investimeve amerikane në Shqipëri si një dëshmi jo vetëm e kësaj marrëdhënieje, por edhe e vetëdijes për potencialin e madh që Shqipëria ka në sektorë shumë kritikë për botën e sotme, në këtë rast për rajonin tonë”, u shpreh Rama.Kryeministri u ndal tek investimet në sektorin e energjisë, ndërsa theksoi se administrata amerikane është shumë e angazhuar për të përballuar sfidën e ndryshimeve klimaterike dhe për të mbështetur të gjitha projektet dhe programet e energjisë së gjelbër.“Ne mendojmë që në këtë aspekt kompanitë amerikane janë një partner i dëshiruar dhe shpresojmë që ky proces që ka nisur do të shtyhet më tutje, para”, tha Rama.Kryeministri theksoi po ashtu se “Shqipëria është një vend që turistët amerikanë ia vlejnë ta vizitojnë”.
