Rreth 500 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në janar 2024.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar në rrjetet sociale se janari ka dhënë një sinjal të fortë për bumin e sezonit të ri turistik me një rritje rekord turistësh.
“Thuajse gjysëm milion, duke afirmuar faktin se tanimë Shqipëria nuk ndalet në rritjen e saj si një forcë e re në turizmin mesdhetar”, u shpreh Rama.
“Më shumë të ardhura, punësim, biznes, ekonomi falë turizmit”, shtoi ai.
Ministria e Turizmit njoftoi sot se gjatë muajit janar 489,599 turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë, ose 30 % më shumë se janari i vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në krye të listës renditen shtetasit e Kosovës, me 215 mijë vizitorë ose rreth 30 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndjekur nga vizitorët italianë të cilët kanë qenë 53 mijë ose 50,4 % më shumë, ndërsa të tretët renditen vizitorët e Mali të Zi me 52,662 hyrje ose +32,6 % krahasuar me janarin e vitit të mëparshëm.
Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411 %, Rumania me mbi 120 %, Spanja me rritje 104 %, Anglia me 10,545 vizitorë apo 62 % më shumë se janari i vitit të kaluar, Suedia me një rritje 73 % e Franca me rreth 3 mijë vizitorë, apo 41,7 % më shumë krahasuar me janarin e vitit 2023.
