Në fund të vitit 2023 sektori i mikrofinancës rezulton me thuajse 200 mijë klientë aktivë, si dhe me mbi 255 mijë kredi të disbursuara. Nga ana tjetër, në përmirësim ka ardhur cilësia e kredive, me rritje të volumit të tyre, e shoqëruar me pakësim të huave me probleme.
Shoqata e Mikrofinancës ka bërë bilancin e aktivitetit për vitin 2023, ku rezulton se volumi i kredive të disbursuara ka arritur në 36.6 miliardë lekë, apo afërisht 360 milionë euro, nga 34 miliardë lekë në vitin 2022. Ndërkaq, kredia me probleme ka rënë në nivelin 6.1% nga 7.2% në vitin 2022.
Vendin e parë në portofolin e anetareve e zënë bizneset të të gjitha llojeve (51%) e më pas individëd (36%). Ndërkohë e parë nga numri i kredive sektori i mikrofinancës është i fokusuar më së shumti tek individi (80% të kredive aktive).
Sipas të dhënave zyrtare të Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, sektori numëron 1,919 të punësuar, prej të cilëve 951 oficerë kredie. 10 kompanitë e mikrofinancës numërojnë në total një rrjet prej 290 degësh të shtrira në gjithë vendin.
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, prej më tepër se 25 vite në treg, bashkon institucionet financiare jo bankare më të konsoliduara, me aktivitet kryesor kredidhenien, të cilat se bashku përfaqësojnë një portofol aktiv kredie prej 44 miliardë lekësh, apo afërsisht 440 milionë eurosh.
