Reforma e gjerë e Bankës së Shqipërisë, e hedhur në konsultim publik në korrik, nuk është miratuar ende nga Këshilli i Ministrave për t’u përcjellë në Kuvend. Në vend të projektit prej 116 nenesh, në Parlament është depozituar një nismë shumë më e kufizuar, e cila ndërhyn vetëm në disa dispozita të ligjit ekzistues nr. 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”.
Krahasimi i dy dokumenteve tregon se projektligji i depozituar në fund të shtatorit merr disa prej elementeve të reformës së korrikut, kryesisht ato që lidhen me përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por lë jashtë pjesën më të madhe të ndryshimeve strukturore të propozuara më herët.
Projektligji i korrikut synonte praktikisht një rithemelim të kuadrit ligjor të bankës qendrore. Ai rregullonte në 116 nene statusin dhe pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, kapitalin, objektivat, politikën monetare, stabilitetin financiar, sistemet e pagesave, drejtimin e institucionit, emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve, auditimin, marrëdhëniet me qeverinë, si edhe funksionimin e Bankës pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe më pas në Unionin Monetar Evropian.
Nisma e re parlamentare ndjek një rrugë tjetër. Në vend të shfuqizimit dhe zëvendësimit të ligjit ekzistues, ajo propozon ndryshimin vetëm të disa neneve të tij, me fokus kryesor ndalimin e financimit monetar të qeverisë dhe sektorit publik, blerjen e titujve shtetërorë dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me financimin e qeverisë. Edhe projekti i korrikut parashikonte që Banka e Shqipërisë të mos mund t’i jepte drejtpërdrejt ose tërthorazi qeverisë, institucioneve shtetërore qendrore apo vendore dhe subjekteve të tjera publike kredi, overdraft, linja kredie apo forma të tjera financimi. Gjithashtu, ndalohej blerja e instrumenteve të borxhit të këtyre subjekteve në tregun primar.
E njëjta filozofi është transferuar tashmë te ndryshimet e propozuara për ligjin aktual, duke synuar përafrimin me rregullat evropiane që ndalojnë financimin monetar të sektorit publik.
Një përjashtim i rëndësishëm ruhet për blerjen e titujve të qeverisë. Projekti i korrikut lejonte Bankën e Shqipërisë të blinte tituj në tregun primar vetëm për administrimin e strukturës së bilancit dhe për riinvestimin e fondeve që vijnë nga maturimi i titujve ekzistues. Titujt e rinj duhet të kenë maturitet fillestar jo më të gjatë se titujt që maturohen, blerja duhet të jetë njoftuar paraprakisht dhe të realizohet me çmim tregu.
Ky mekanizëm përfshihet edhe në nismën e depozituar në Kuvend, e cila e trajton atë si një përjashtim të kufizuar dhe jo si një instrument për financimin e qeverisë. Relacioni e lidh ndryshimin me përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së.
Një tjetër element që mbijeton nga reforma e korrikut është Komiteti i Auditimit. Projekti fillestar parashikonte një komitet me tre anëtarë të Këshillit, ndërsa Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të ishin pjesë e tij. Komiteti do të mbikëqyrte integritetin e raportimit financiar, sistemin e kontrollit të brendshëm, administrimin e rrezikut dhe procesin e auditimit të jashtëm.
Por ndryshimet e shtatorit nuk marrin të gjithë arkitekturën e re të auditimit që ishte propozuar në korrik. Ato përqendrohen në institucionalizimin e Komitetit të Auditimit brenda ligjit ekzistues dhe përcaktimin e disa kritereve për përbërjen dhe funksionimin e tij.
Pjesa më e madhe e reformës së korrikut, ndërkohë, mbetet jashtë nismës së re parlamentare.
Mes elementeve që nuk janë përfshirë është edhe Lek-u digjital. Projekti i korrikut përcaktonte se kartëmonedhat, monedhat metalike dhe monedha digjitale “Lek”, të emetuara nga Banka e Shqipërisë, do të kishin kurs ligjor në të gjithë territorin e vendit. Bankës i jepej gjithashtu e drejta ekskluzive për emetimin e monedhës digjitale.
Jashtë ndryshimeve të reja mbetet edhe riorganizimi i gjerë i drejtimit të Bankës. Projekti i korrikut përcaktonte në detaje kompetencat e Këshillit, Guvernatorit dhe dy Zëvendësguvernatorëve, si edhe ngritjen e Komitetit të Politikës Monetare dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar.
Gjithashtu në propozimin e bërë aktualisht nuk parashikohet mbrojtja që kërkohej për Guvernatorin dhe ZvGuvernatorin e parë ndaj arrestimit, ku kërkohej që më parë të shprehej Gjykata Kushtetuese.
Po kështu, nuk është marrë në tërësi kapitulli i posaçëm që projekti i korrikut kishte hartuar për momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas atij projekti, Banka e Shqipërisë do të bëhej pjesë përbërëse e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe do të ushtronte funksionet e saj në përputhje me traktatet evropiane dhe Statutin e SEBQ-së dhe BQE-së. Projekti kishte parashikuar edhe një fazë të dytë ndryshimesh me anëtarësimin e Shqipërisë në Unionin Monetar Evropian.
Në nismën e shtatorit, përafrimi evropian është shumë më i fokusuar dhe lidhet kryesisht me dispozitat që konsiderohen të nevojshme për financimin monetar, kreditimin e sektorit publik dhe qeverisjen e bankës qendrore.
Mbetet ende e paqartë, nëse mazhoranca do të shtyjë përpara me draftin e korrikut të publikuar në konsultim nga Ministria e Financave, me variantin e propozuar tani, apo do të ecet përpara dhe do të miratohen të dyja.
Në rastin e korrikut, do të kishim një projektligj të ri, ndërsa propozimet e bëra tani janë vetëm për ndryshime të ligjit aktual. /ekofin.al

