Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e propozuara për tu integruar në Kodin e ri të Procedurës Penale.
Në rast të votimit të këtij projektligji, për dënimet maksimale me 5 vite burg, nuk do të caktohet masa “arrest me burg”. Gjykatës i ngarkohet detyra të argumentojë vendimin, por do jo duke kopjuar atë të Prokurorisë.
“Për veprat me dënim maksimal për 5 vite nuk do të caktohet më arrest me burg. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte. Gjykata të bëjë vlerësim të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore të llogaritur dhe sipas gjendjes financiare të personit. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë akoma dhe t’i argumentojë”, tha Rama.
Kryeministri tha se avokati mbrojtës do të ketë të drejta të plota, të bëjë hetime indviduale, të angazhojë ekspertë, të marrë deklarime. Të dyshuarit duhet t’i vihet me patjetër në dispozicion dosja e plotë hetimore dhe të gjitha faktet që argumentojnë masën e heqjes së lirisë, përpara se të zhvillohet seanca gjyqësore.
Përveç gjetjes së fakteve që favorizojnë masën “arrest me burg”, prokuroria është e etyruar të gjejë dhe ato prova që i favorizojnë lirinë të dyshuarit.
“Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Duhet të ketë të drejtë të bëjë hetimet e veta, të bëjë deklarime, të marrë dokumente dhe të angazhojë ekspertë. Materialet do t’i paraqiten gjyqtarit dhe do të vlerësohen njësoj si të prokurorisë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar mbi provat që kanë hequr lirinë dhe do të ketë akses të plotë në dosje. Prokurori do të ketë detyrim të hetojë edhe rrethanat që e favorizojnë një person”, tha Rama.
Një tjetër çështje e shumëdebatuar në publik është ajo e “personit në dijeni” që thirret në prokurori për të dhënë deklarime në raste te caktuara. Rama tha e ky person nuk mund të trajtohet si i dyshuar dhe se në fletën e thirrjes duhet të jetë patjetër e shkruar “e drejta për tu paraqitur me avokat”.
“Nuk mund të thirret dikush si një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar. Kushdo që thirret duhet të ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Marrjet në pyetje do të regjistrohen me zë dhe figurë. Hiqet justifikimi “kur është e mundur”. Shkruhet se deklarimet e marra nën torturë apo me sjellje degraduese janë të papërdorshme”, tha Rama.
Marrja e të dhënave nga një celular i sekuestruar, do të jetë e kufizuar. Do të jetë gjykata që do të japë lejen për administrimin e të dhënave të caktuara, aplikacionet, kategoritë dhe periudhën e të dhënave që i nevojiten çështjes hetimore.
“Telefoni nuk është më një mjet komunikimi, është arkivi i jetës. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më leje e pakufishme për të parë gjithçka. Për ta hapur, kopjuar ose përpunuar, duhet autorizim i gjykatës. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë pajisjen, kategorinë e të dhënave, periudhën, aplikacionet dhe kategorinë. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme. E njëjta edhe për përgjimet”, tha Rama.
Prezumimin e pafajësisë Rama e cilësoi si një ndër pikat kryesore të Kodit Penal. Rrjedhja e materialeve hetimore është rreptësisht e ndaluar dhe të gjithë personat që shkelin ligjin, do të mbajnë përgjegjësi.
“Prezumimi i pafajësisë duhet të jetë standard sjelljeje për të gjithë institucionet. Gjykimi në publik përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Kush ka detyrim të ruajë sekretin dhe e shkel, duhet të mbajë përgjegjësi. Përgjegjësia nuk bie mbi median, por mbi atë që ka detyrim ligjor. Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë”, tha Rama.
