Personat me aftësi të kufizuara vijojnë të përballen me vështirësi në aksesin në institucione dhe shërbime publike, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe lehtësirave të nevojshme.
Kjo ishte një nga problematikat kryesore të ngritura nga qytetarët në Kukës, gjatë takimit të organizuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), në kuadër të nismës kombëtare “Udhëtimi në Shqipëri”.
Pas Malësisë së Madhe dhe Fushë-Arrëzit, Kukësi ishte ndalesa e tretë e turit, ku Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa (Bungo), diskutoi me qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore mbi përfshirjen dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara.
Qytetarët evidentuan mungesën e hapësirave të përshtatura në institucione dhe vështirësitë për të përfituar në mënyrë të barabartë nga shërbimet publike. Mes shqetësimeve të tjera u ngritën mungesa e transportit ndërqytetas në disa zona të thella, problemet me aksesin e barabartë në arsim dhe nevoja për një angazhim më të madh të institucioneve vendore.
Komisionerja Genta Tafa (Bungo) theksoi se diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara nuk shfaqet vetëm përmes sjelljeve të drejtpërdrejta, por mund të jetë i pranishëm edhe në mënyrën se si projektohen mjediset dhe ofrohen shërbimet.
“Një shkallë pa rampë, një zyrë pa ashensor, një trotuar pa hapësirë për një karrocë. Këto nuk janë thjesht çështje infrastrukture, kur një person nuk mund të hyjë fizikisht në një institucion, atij i mohohet në praktikë e drejta për t’u shërbyer njësoj si çdo qytetar tjetër”, u shpreh Tafa.
Sipas saj, ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” i trajton raste të tilla si diskriminim dhe KMD ka mandatin për të shqyrtuar ankesat që lidhen me këto barriera.
Përfaqësuesit e KMD-së informuan qytetarët se çdo person mund t’i drejtohet institucionit dhe të depozitojë pa pagesë një ankesë kur vlerëson se i është mohuar një e drejtë për shkak të aftësisë së kufizuar.
Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, e mbështetur edhe nga projekti PACEP II, synon ta zhvendosë diskutimin mbi diskriminimin dhe barazinë më pranë komuniteteve lokale.
Pas Kukësit, turi do të vijojë në Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë, Përmet dhe Rrëshen në Mirditë, ku pritet të evidentohen problematikat konkrete të komuniteteve dhe çështjet që lidhen me mbrojtjen nga diskriminimi.
