Komisioneri Evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, paralajmëroi qeveritë se Bashkimi Evropian nuk po përballet me një krizë të menjëhershme të sigurisë së furnizimit me gaz, por po përballet me një presion të fortë mbi çmimet dhe furnizimin, i cili mund të bëhet më i vështirë me afrimin e dimrit, sipas një letre të siguruar nga Euronews.
Komisioneri Evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, u bëri thirrje qeverive të vendeve të BE-së që të vazhdojnë të kufizojnë kërkesën për energji, për të reduktuar konsumin e gazit dhe të energjisë elektrike, mes niveleve “jashtëzakonisht të ulëta” të rezervave, sipas letrës së parë nga Euronews.
“Ju ftoj të shqyrtoni marrjen e masave ose vazhdimin e masave që mund të mbështesin mbushjen e rezervave ose të reduktojnë kërkesën për gaz dhe energji elektrike për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thuhet në letër, ku theksohet se situata “nuk është përmirësuar” që nga paralajmërimi i parë i Jørgensen në mars.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur rezervat e gazit në BE janë rreth 70% të mbushura, afërsisht 12 pikë përqindjeje më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të fundit nga shoqata tregtare Infrastruktura Evropiane e Gazit.
Vazhdimi i ndërprerjeve në furnizime në Lindjen e Mesme dhe konkurrenca e fortë me Azinë për ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG) po shtyjnë çmimet për lart, duke rritur rrezikun e një krize furnizimi.
TTF-ja holandeze, treguesi referencë i çmimit të gazit natyror në Evropë, po tregtohet rreth 72 euro për MWh, rreth 40 euro/MWh më shumë që nga bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.
Analistët paralajmërojnë për rritje të mundshme të çmimit mbi 100 euro/MWh gjatë periudhës së pikut të dimrit, nëse vëllimet e eksportit të LNG-së nga Gjiri Persik nuk rriten ose nëse mirëmbajtja në Norvegji zgjat kufizimet e eksporteve.
Drejtuesi kryesor i politikës energjetike të BE-së tha se përdorimi i më pak energjie elektrike gjatë orëve të pikut mund të nënkuptojë djegien e më pak gazit në termocentrale, duke lehtësuar presionin si mbi furnizimin me gaz, ashtu edhe mbi çmimet e energjisë.
Familjet dhe bizneset janë tashmë të ndjeshme ndaj faturave të energjisë, ndërsa qeveritë po përballen me presionin për të mbrojtur konsumatorët nga një tjetër goditje e çmimeve.
Komisioni Evropian i referohet në mënyrë specifike masave të përdorura gjatë krizës energjetike të vitit 2022, duke përfshirë reduktimin e konsumit të energjisë elektrike gjatë orëve të pikut, nxitjen e konsumatorëve për të zhvendosur konsumin përmes matësve inteligjentë dhe tarifave të ndryshme, kufizimin e temperaturave në ndërtesat publike, kufizimin e ngrohjes në ambientet e jashtme dhe fikjen e ndriçimit të panevojshëm publik gjatë natës.
Megjithatë, Jørgensen nuk shkon deri aty sa të vendosë masa të detyrueshme.
“Masat vullnetare dhe të planifikuara mirë për reduktimin e kërkesës rezultuan të dobishme gjatë krizës energjetike të vitit 2022 dhe mund të nxjerrim mësime nga ajo përvojë në situatën aktuale”, thuhet në letër.
Megjithatë, komisioneri evropian për energjinë u referohet ministrave edhe planeve kombëtare të emergjencës, të cilat përmbajnë masa më të forta që mund të aktivizohen nëse situata përkeqësohet, përfshirë kontratat e gazit që mund të ndërpriten dhe kalimin e termocentraleve nga gazi në lëndë djegëse të tjera.
Nuk ka nxitim për mbushjen e rezervave
Jørgensen u kërkoi gjithashtu qeverive të shfrytëzojnë fleksibilitetin që ofrojnë rregullat e BE-së për rezervat e gazit, për të shmangur blerjet e nxituara dhe të shqyrtojnë një objektiv mbushjeje prej 80%, në vend që të synojnë me çdo kusht objektivin prej 90%.
Zakonisht, mbushja e rezervave lidhet me sigurinë, pasi sa më shumë gaz të jetë ruajtur, aq më i madh është rezerva mbrojtëse kur rritet kërkesa gjatë dimrit.
Por blerja e sasive të mëdha të gazit në një kohë kur tregjet globale janë tashmë të shtrënguara mund të shkaktojë vetë rritje të mëtejshme të çmimeve.
Komisioni Evropian ka argumentuar se arritja e nivelit 80% mund të jetë e mjaftueshme për sigurinë e furnizimit gjatë dimrit në kushtet aktuale, duke u mundësuar vendeve t’i shpërndajnë blerjet në një periudhë më të gjatë dhe të shmangin një garë të vonë për sigurimin e gazit.
Komisioneri danez tha se BE-ja po hyn në dimër me një sistem energjetik më të qëndrueshëm se ai që kishte përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia, por jo në një situatë komode.
“Megjithëse rezervat e gazit në BE janë jashtëzakonisht të ulëta dhe situata mbetet sfiduese, aktualisht nuk ka rreziqe të menjëhershme për sigurinë e furnizimit”, thuhet në letër.
Nga çmimet te furnizimi
Pavarësisht garancive, Brukseli nuk po flet më vetëm për mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimet e larta. Tani po u kërkon qeverive të vendeve të BE-së të menaxhojnë kërkesën, pasi vetë konsumi po bëhet pjesë e problemit të furnizimit.
“Siç diskutuam në Task-Forcën e Bashkimit Energjetik, po përballemi me një krizë çmimesh që po lidhet me një krizë furnizimi”, thuhet në letër.
Për momentin, Brukseli vazhdon të bëjë dallimin mes përkeqësimit të situatës së çmimeve dhe një mungese të menjëhershme fizike të gazit, duke thënë se aktualisht nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për sigurinë e furnizimit.
BE-ja mund të ketë mjaftueshëm gaz për të kaluar dimrin, por sigurimi i tij mund të kushtojë shumë më tepër, veçanërisht nëse tregjet globale të LNG-së mbeten të shtrënguara dhe vendet evropiane duhet të konkurrojnë me blerësit e tjerë. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
