Zbatimi i ligjit të faljes tatimore ka sjellë deri më 31 gusht 2026 fshirjen ose shuarjen e 450 milionë eurove detyrime të papaguara, ekuivalente me rreth 41.2 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pjesa më e madhe e shumës lidhet me detyrimet për tatimin mbi fitimin dhe TVSH-në, të cilat së bashku arrijnë në rreth 275.7 milionë euro, ose mbi 61% të totalit të falur.
Sipas të dhënave të administratës tatimore, vetëm nga tatimi mbi fitimin janë fshirë ose shuar 138.38 milionë euro detyrime, për 16,347 tatimpagues përfitues të raportuar në këtë kategori. Shuma është thuajse e njëjtë edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku falja arrin në 137.35 milionë euro, për 13,207 tatimpagues.
Një peshë të konsiderueshme zë edhe kategoria “të tjera”, me 72.68 milionë euro detyrime të fshira ose shuar dhe 33,071 përfitues. Për kontributet shoqërore, shuma arrin në 40.01 milionë euro, ndërsa për tatimin e mbajtur në burim janë falur 26.81 milionë euro.
Në një kategori të veçantë për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, administrata raporton edhe 26.70 milionë euro detyrime të fshira ose shuar për 39,266 tatimpagues. Ndërkohë, falja për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin arrin në 6.36 milionë euro, ndërsa për tatimin mbi të ardhurat individuale në 1.72 milionë euro.
Në total, Tatimet raportojnë 220,291 tatimpagues përfitues sipas kategorive të tatimeve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se falja vijon të zbatohet me dhe pa kusht për detyrimet tatimore të papaguara, ndërsa deri në fund të gushtit efekti financiar i procesit kishte arritur tashmë në 450 milionë euro. Kjo tregon se pjesa dërrmuese e stokut të trajtuar deri tani lidhet me dy taksat kryesore të aktivitetit të biznesit, TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin. /ekofin.al
