Familjet shqiptare po largohen ndjeshëm nga kreditë në valutë për blerjen e banesave. Pesha e kredisë në valutë ndaj totalit të kredisë për shtëpi ka rënë në 26% në mesin e vitit 2026, nga 60% në vitin 2016, duke treguar një zhvendosje të fortë drejt huamarrjes në lek.
Prirja është përforcuar gjatë vitit të fundit. Në fund të gjashtëmujorit të parë të 2026-s, portofoli i kredive për banesa në lek arriti në 190 miliardë lekë, me rritje 21% në terma vjetorë, ndërsa portofoli në valutë ishte 68 miliardë lekë dhe u tkurr me 6%. Banka e Shqipërisë e lidh këtë ecuri me rritjen e preferencës së individëve për të marrë kredi të reja për strehim në monedhën vendase.
Kredia për banesë ka tashmë një peshë dominante në huamarrjen e individëve. Ajo përfaqëson rreth 64% të stokut total të kredisë për individët, ndërsa vetë kredia për individët ishte rritur me rreth 17% ndaj një viti më parë në fund të qershorit. Rritja e financimit për blerje banese vijon të jetë kontribuuesi kryesor në zgjerimin e këtij portofoli.
Edhe diferenca e interesave favorizon aktualisht lekun për kreditë për shtëpi. Në fund të periudhës, norma e interesit për kreditë e reja për blerje banese ishte 3.8% në lek dhe 5.0% në euro. Ndryshe paraqitet kredia në tërësi për individët, ku norma e interesit në fund të periudhës ishte 8.9% në lek dhe 7.9% në euro, pasi këtu përfshihen edhe kreditë për konsum.
Kërkesa për financim pritet të mbetet e fortë. Në tremujorin e dytë bankat lehtësuan standardet e kreditimit dhe rritën shkallën e miratimit të kredive për individët, zhvillim që sipas tyre lidhet me konkurrencën më të madhe në sistemin bankar dhe tolerancën më të lartë ndaj rrezikut. Për tremujorin e tretë, bankat presin kërkesë të lartë si për kredi konsumatore, ashtu edhe për blerje banese. /ekofin.al

