Bizneset shqiptare kanë ndryshuar ndjeshëm strukturën e financimit gjatë dekadës së fundit, duke u mbështetur gjithnjë e më shumë te kapitali dhe më pak te borxhi. Raporti borxh/kapital ka rënë në rreth 30% në vitin 2025, nga mbi 80% në vitin 2013, sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
Ndryshimi nuk ka ardhur nga një tkurrje e fortë e borxhit, por kryesisht nga zgjerimi i kapitalit të investuar në ndërmarrje. Stoku i borxhit të bizneseve, që përfshin huatë dhe letrat me vlerë të borxhit, ka qëndruar rreth 800 miliardë lekë, ndërsa detyrimet në formën e kapitalit janë shtuar me rreth 1,700 miliardë lekë gjatë viteve 2013-2025, duke arritur në 2,700 miliardë lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, varësia e bizneseve nga kapitali vendas dhe i huaj është tashmë disa herë më e lartë se varësia nga financimi me borxh.
Megjithatë, në vlerë absolute, pozicioni debitor i sektorit të biznesit vijoi të zgjerohej. Në fund të vitit 2025 ai arriti në rreth 2,870 miliardë lekë, ose 8% më shumë se një vit më parë. Në raport me madhësinë e ekonomisë, tabloja është më e favorshme: pozicioni neto debitor ra në 108% të PBB-së, nga 118% në vitet 2020-2021.
Një pjesë shumë e madhe e financimit të ndërmarrjeve vjen jashtë sistemit klasik të kreditimit bankar. Jorezidentët sigurojnë rreth 50% të financimit neto të sektorit të biznesit, ndërsa ekonomitë familjare vendase rreth 40%. Pjesa tjetër vjen nga sektori i qeverisë së përgjithshme. Kjo strukturë shpjegon edhe përse zgjerimi i pozicionit debitor të bizneseve nuk duhet lexuar i gjithi si rritje e huamarrjes. /ekofin.al

