Zgjerimi i energjisë së rinovueshme mund të krijojë mijëra vende të reja pune në Shqipëri deri në fund të dekadës, por ky zhvillim po përplaset me një problem të dyfishtë: plakjen e fuqisë ekzistuese të punës dhe mungesën e profileve teknike që kërkon sektori.
Sipas studimit të publikuar së fundmi nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit për zbutjen e ndikimeve negative sociale dhe atyre në tregun e punës të tranzicionit energjetik në Ballkanin Perëndimor, skenari me masa shtesë parashikon 3,060 vende pune të lidhura me energjinë fotovoltaike dhe 460 në energjinë e erës deri në vitin 2030.
Diferenca ndaj skenarit që mbështetet vetëm në masat ekzistuese është e madhe. Në skenarin WEM, ose “me masat ekzistuese”, Shqipëria parashikon 900 vende pune në sektorin energjitik diellor dhe 150 në energjinë e erës. Në skenarin WAM, që përfshin edhe masat shtesë të planifikuara, numri i vendeve të punës në fotovoltaikë arrin në 3,060, pra 3.4 herë nivelin e skenarit me politikat ekzistuese.
Sfida është se ky zgjerim pritet në një sektor ku një pjesë e madhe e fuqisë së punës po i afrohet pensionit. Mbi 40% e të punësuarve në sektorin energjetik shqiptar ishin 50 vjeç e lart në vitin 2019, sipas të dhënave të përdorura nga raporti, i cili vlerëson se kjo do të shtojë nevojën për zëvendësimin e punonjësve që dalin në pension.
Edhe niveli i arsimit e vendos Shqipërinë nën mesataren e BE-së. Në vitin 2020, 33.2% e personave 30–34 vjeç në Shqipëri kishin përfunduar arsimin terciar ose ekuivalent, kundrejt 41% në Bashkimin Evropian. Raporti paralajmëron se sistemet e arsimit dhe trajnimit në Ballkanin Perëndimor po e kanë të vështirë të ecin me ritmin e kërkesës së re për aftësi të lidhura me tranzicionin e gjelbër.
Për Shqipërinë, studimi i Fondacionit Evropian të Trajnimit, i cituar në dokument identifikon kërkesë për inxhinierë energjie, mekanikë, civilë dhe elektrikë, por edhe për operatorë të hidrocentraleve dhe impianteve diellore. Në nivelet e mesme dhe teknike, ndër profesionet që pritet të kërkohen janë teknikët e energjisë diellore, teknikët e turbinave të erës, montuesit dhe testuesit e paneleve të kontrollit, montuesit e pajisjeve elektromekanike dhe mekanikët elektrikë.
Pikërisht këtu raporti sheh një nga pengesat e tranzicionit: arsimi profesional duhet të përshtatet me investimet që po bëhen. Për Shqipërinë kërkohet forcim i institucioneve VET, bashkëpunim më i madh me sektorin privat dhe zhvillim i kurrikulave të posaçme për energjinë e rinovueshme./ekofin.al

