Numri i turistëve që vizitojnë vendin ballkanik është pothuajse dyfishuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zbulojnë historinë e tij, plazhet dhe shtigjet mbresëlënëse të ecjes në natyrë.
Historia e turizmit në Shqipëri është e pazakontë. E izoluar nga bota për dekada nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria nisi të priste gradualisht turistë të huaj pas vdekjes së tij dhe rënies së komunizmit.
Sot, numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm. Në vitin 2025, mbërritjet arritën në 11.9 milionë, me një rritje prej 3.3% krahasuar me një vit më parë dhe 93.6% krahasuar me vitin 2019, sipas të dhënave të UN Tourism.
Nuk ka vetëm një faktor që shpjegon këtë rritje të shpejtë, megjithëse numri i madh i publikimeve turistike që e kanë përshkruar Shqipërinë si “Maldivet e Europës”, përfshirë edhe Euronews Travel, duket se ka luajtur rolin e vet.
Më poshtë shohim më nga afër arsyet e këtij bumi dhe destinacionet që ia vlen të vizitohen.
Nga “perlë e fshehur” në destinacion të kërkuar
Udhëtarët janë gjithmonë në kërkim të “perlës së fshehur” të radhës. Sapo një destinacion bëhet shumë popullor, nis kërkimi për alternativa më të qeta dhe jashtë itinerareve tradicionale turistike.
Një dekadë më parë, Kroacia dhe veçanërisht Dubrovniku hynë fuqishëm në hartën e turizmit ndërkombëtar, të ndihmuar edhe nga popullariteti i serialit Game of Thrones. Më pas, turistët filluan të kërkonin vende më të qeta përgjatë bregdetit dalmat dhe zbuluan Malin e Zi. Tani po shkojnë edhe më në jug, ndërsa Riviera Shqiptare po vlerësohet për ujërat e kristalta dhe çmimet e përballueshme.
Lehtësia relative e udhëtimit me autobus nëpër rajon ka tërhequr gjithashtu shumë turistë që zgjedhin udhëtime në disa vende njëherësh, duke kombinuar Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe destinacione të tjera të rajonit.
Për ata që mbërrijnë me avion, zgjerimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ka ndihmuar në rritjen e turizmit. Por një zhvillim edhe më i rëndësishëm ishte hapja e bazës së Wizz Air në Tiranë në vitin 2020, e cila solli fluturime me kosto të ulët drejt dhe nga shumë qytete europiane, përfshirë Barcelonën, Budapestin, Londrën, Madridin, Romën dhe Stokholmin.
Një pjesë e rëndësishme e popullaritetit të Shqipërisë lidhet edhe me shumëllojshmërinë e ofertës turistike, nga historia dhe kultura te pushimet në plazh dhe turizmi i aventurës.

Tirana: Për të apasionuarit pas historisë
Kryeqyteti shqiptar është një pikënisje e mirë për të kuptuar historinë e vendit dhe transformimin e shpejtë që ka përjetuar gjatë dekadave të fundit.
Vizita mund të nisë nga Sheshi Skënderbej, që mban emrin e heroit kombëtar shqiptar, i cili udhëhoqi qëndresën kundër osmanëve në shekullin XV.
Edhe pse Muzeu Historik Kombëtar do të mbetet i mbyllur deri në vitin 2028, mozaiku në fasadën e tij vazhdon të japë një panoramë të historisë së vendit përmes figurave të paraqitura, mes tyre një luftëtar ilir, një luftëtar i periudhës së Rilindjes Kombëtare, Nëna Shqipëri dhe një punëtor i periudhës komuniste.
Historia e Shqipërisë komuniste mund të eksplorohet më tej në Shtëpinë me Gjethe, muzeu kushtuar Sigurimit, policisë sekrete të regjimit. Vizitorët mund të shohin ish-dhomat e marrjes në pyetje, si edhe dokumente, regjistrime dhe fotografi të periudhës.

Arkitektura brutaliste nuk është trashëgimia e vetme e periudhës së Enver Hoxhës. Vendi është gjithashtu i mbushur me bunkerë. Pranë Sheshit Skënderbej ndodhet Bunk’Art 2, që trajton ndër të tjera jetën nën frikën e policisë sekrete.
Bunk’Art 1, më i madhi prej të dyve, ndodhet në periferi të Tiranës dhe trajton periudha të ndryshme nga vitet 1930 deri në vitin 1990. Ai ndodhet gjithashtu pranë stacionit të poshtëm të teleferikut të Dajtit.
Për suvenire dhe ushqim vendas, një tjetër ndalesë është Kalaja e Tiranës, e njohur edhe si Kalaja e Justinianit, ku sot ndodhen restorante, kafene dhe dyqane.
Tirana njihet gjithashtu si një destinacion më ekonomik për një fundjavë sesa disa qytete të vendeve fqinje dhe ka një jetë nate të zhvilluar. Blloku është një nga zonat më të njohura, me bare dhe lokale të shumta.
Dhe, kudo që të shkoni, artikulli sugjeron të provoni edhe rakinë shqiptare.

Shkodra: Për pushim buzë liqenit
Liqeni më i madh në Europën Jugore ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në anën shqiptare njihet si Liqeni i Shkodrës, ndërsa në anën malazeze si Liqeni i Skadarit. Qyteti mund të eksplorohet në këmbë dhe mund të vizitohet Kalaja e Rozafës, por një nga mënyrat më të mira për të njohur zonën është marrja me qira e një biçiklete dhe udhëtimi përgjatë liqenit.
Është një destinacion ku ritmi mund të ngadalësohet. Autorja përmend qëndrimin në Hotel Tradita, një pronë boutique në një ndërtesë që daton fillimisht nga viti 1694 dhe që dikur ka qenë shtëpia e poetit Filip Shiroka.
Edhe për ata që nuk qëndrojnë aty, restoranti ofron gatime tradicionale, verë dhe raki, shpesh të shoqëruara me muzikë shqiptare live.
Lumi i Shalës dhe Liqeni i Komanit janë ndër udhëtimet ditore më të njohura nga zona e Shkodrës, e cila shërben gjithashtu si një nga portat drejt Alpeve Shqiptare.
Alpet Shqiptare: Për adhuruesit e natyrës
Qafa e Valbonës është ndër itineraret më të njohura të ecjes në Alpet Shqiptare.
Shtegu që lidh Valbonën me Thethin është rreth 12 kilometra dhe përshkohet në afërsisht 7 deri në 10 orë. Gjatë rrugës, vizitorët hasin peizazhe të paprekura, maja dramatike malore dhe livadhe të mbushura me lule të egra.

Riviera Shqiptare: Për pushuesit e plazhit
Destinacioni shqiptar për të cilin është folur ndoshta më shumë është Riviera Shqiptare, e quajtur edhe “Maldivet e Europës” për ujërat e kristalta dhe brigjet e saj.
Vlora, qyteti i tretë më i madh i Shqipërisë, ka regjistruar fluksin më të madh të vizitorëve, ndërsa mes destinacioneve të tjera të njohura përgjatë bregdetit janë Dhërmiu, Saranda dhe Ksamili.
Bumi turistik ka sjellë edhe investime të konsiderueshme në infrastrukturën e turizmit. Oferta e hoteleve me pesë yje në bregdet tashmë përfshin Green Coast Hotel – MGallery Collection, i hapur në qershor të vitit të kaluar, Crowne Plaza Durrës by IHG, i hapur më herët këtë vit, si edhe Miamar Luxury Hotel & Spa.
Si të shkoni në Shqipëri
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka fluturime direkte nga qendra të rëndësishme europiane, përfshirë Londrën, Frankfurtin, Amsterdamin dhe Stambollin, megjithëse shumë prej tyre janë sezonale.
Në Tiranë mund të mbërrini edhe me autobus nga qytete të afërta të rajonit, përfshirë Shkupin dhe Ohrin në Maqedoninë e Veriut, Podgoricën dhe Budvën në Mal të Zi, si edhe Prishtinën dhe Prizrenin në Kosovë. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
