Shqipëria ka ulur me 11% emetimet e metanit nga tre sektorët kryesorë ndërmjet viteve 1990 dhe 2022, por pas kësaj shifre fshihen zhvillime krejt të kundërta. Ndërsa emetimet nga bujqësia dhe burimet fosile kanë rënë ndjeshëm, metani që vjen nga mbetjet është pothuajse dyfishuar, nga 15.84 mijë tonë në 1990 në 30.15 mijë tonë në 2022. Në total, vendi emetoi 72.16 mijë tonë metan në 2022, ekuivalente me rreth 2 milionë tonë CO₂, sipas raportit të ri të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Rritja nga mbetjet lidhet, sipas raportit, me shtimin e madh të depozitimit të mbetjeve të ngurta. Ecuria është e kundërt për pjesët e tjera të sektorit: emetimet nga trajtimi dhe shkarkimi i ujërave të ndotura janë përgjysmuar, ndërsa kontributi nga djegia e hapur e mbetjeve ka zbritur në minimum.
Megjithatë, mbetjet nuk janë ende burimi më i madh i metanit në Shqipëri. Vendin e parë e mban bujqësia, me 40.41 mijë tonë në 2022, të krijuara nga fermentimi enterik, menaxhimi i plehut dhe djegia e mbetjeve bujqësore. Sasia ishte 46.94 mijë tonë në 2020, ndërsa krahasuar me vitin 1990 ka zbritur në rreth një të tretën e nivelit të atëhershëm.
Të marra së bashku, bujqësia dhe mbetjet prodhuan 70.56 mijë tonë metan në 2022, ose rreth 97.8% të emetimeve të tre sektorëve kryesorë të analizuar për Shqipërinë. Vetë Komuniteti i Energjisë e klasifikon bujqësinë si burimin kryesor të metanit në Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, Moldavi dhe Maqedoninë e Veriut burimi kryesor janë mbetjet.
Emetimet nga nafta dhe gazi bien me 65%
Ndryshe nga mbetjet, kontributi i sektorit të energjisë është relativisht i vogël. Emetimet e metanit nga nafta dhe gazi arritën 1.55 mijë tonë në 2022, duke rënë 65.4% krahasuar me 1990 dhe 17% ndaj 2020-s. Raporti përfshin në përllogaritje emetimet nga kërkimi dhe prodhimi i naftës dhe gazit, grumbullimi dhe përpunimi, transmetimi, rafinimi dhe magazinimi, si edhe nga shkarkimi i drejtpërdrejtë dhe djegia e gazit të tepërt, por jo nga shpërndarja dhe puset e braktisura.
Edhe më të vogla janë emetimet nga qymyri. Ato ishin vetëm 0.05 mijë tonë në 2022, ose 91.31% më pak se në 1990. Megjithatë, krahasuar me vitin 2020, ato rezultojnë 25% më të larta. Raporti vëren se prodhimi i linjitit në Shqipëri përfundoi pas vitit 2013 dhe prej vitit 2015 raportohet vetëm prodhim qymyri bituminoz.
Kjo ka rëndësi edhe për efektin klimatik. Metani qëndron në atmosferë rreth 12 vjet, shumë më pak se CO₂, por ka efekt shumë më të fuqishëm ngrohës. Në një horizont 20-vjeçar, një ton metan ka efekt ngrohës të barasvlershëm me rreth 82–87 tonë CO₂, çka e bën uljen e tij një instrument me efekt relativisht të shpejtë në frenimin e ngrohjes.
Objektiv më ambicioz për klimën, por jo posaçërisht për metanin
Raporti nxjerr në pah edhe një boshllëk në politikat klimatike. Shqipëria është, së bashku me Malin e Zi dhe Serbinë, ndër vendet që në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës kanë vendosur një objektiv të përgjithshëm për emetimet e gazeve serrë në 2030 më ambicioz se objektivi i përcaktuar nga kuadri i Komunitetit të Energjisë.
Por kuadri aktual nuk përcakton objektiva të veçanta dhe detyruese për metanin. Shqipëria, ashtu si palët e tjera kontraktuese, është pjesë e Global Methane Pledge, përmes të cilit vendet janë angazhuar për veprime vullnetare që synojnë kolektivisht uljen e emetimeve globale të metanit me të paktën 30% deri në vitin 2030 kundrejt 2020-s. Shqipëria është gjithashtu një nga gjashtë vendet e Komunitetit të Energjisë që marrin pjesë në Global Methane Initiative.
Në planet kombëtare të miratuara të vendeve të Komunitetit të Energjisë janë identifikuar rreth 400 politika dhe masa për arritjen e objektivave të gazeve serrë për 2030. Por 71% lidhen me sektorin e energjisë, vetëm 9% me mbetjet dhe 7% me bujqësinë. Raporti vëren gjithashtu se minierat e qymyrit, prodhimi i naftës dhe gazit, trajtimi i naftës dhe rrjetet e gazit kontribuojnë në emetimet e metanit, por nuk janë trajtuar në masat e NECP-ve. Vetëm Ukraina ka përcaktuar një masë në formën e një plani veprimi në kuadër të Global Methane Pledge.
Në rastin e mbetjeve, masat e parashikuara në planet e vendeve përfshijnë menaxhimin e integruar, trajtimin e mbetjeve organike dhe kapjen e metanit në landfille. Komuniteti i Energjisë vlerëson se ndërhyrjet te mbetjet dhe bujqësia mund të jenë veçanërisht efektive për uljen e emetimeve gjatë dekadës së ardhshme, pikërisht sepse një pjesë e madhe e gazeve serrë që prodhojnë këta sektorë është metan./ekofin.al
