Gratë kanë rritur praninë e tyre në vendimmarrjen politike, diplomaci dhe ekonomi, por të dhënat tregojnë se hendeku gjinor mbetet ende i dukshëm, veçanërisht në sipërmarrje. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për vitin 2025, rreth një në tre ndërmarrje aktive në Shqipëri kishte pronare ose administratore gra.
Konkretisht, gratë rezultonin pronare ose administratore në 31,6% të ndërmarrjeve aktive. Prania e tyre ishte disi më e lartë te bizneset e vogla, me 1 deri në 4 të punësuar, ku pesha arrinte në 32,7%.
Diferenca bëhet edhe më e fortë kur bizneset ndahen sipas aktivitetit ekonomik. Ndërmarrjet me pronare ose administratore gra përbënin 33,9% të prodhuesve të shërbimeve, ndërsa te prodhuesit e të mirave pesha zbriste në vetëm 17,5%. Kjo do të thotë se gratë janë dukshëm më pak të përfaqësuara në drejtimin ose pronësinë e bizneseve që prodhojnë të mira sesa në sektorin e shërbimeve. Të dhënat e INSTAT nuk përfshijnë fermerët e regjistruar.
Një tjetër tregues me interes lidhet me aksesin në financim. Në vitin 2025, bankat tregtare numëronin 348.053 huamarrës. Prej tyre, 55,2% ishin burra dhe 44,8% gra. Përkthyer në numra, bëhet fjalë për rreth 156 mijë gra huamarrëse dhe rreth 192 mijë burra. Diferenca tregon se gratë përbëjnë tashmë një pjesë të konsiderueshme të klientëve që përdorin financimin bankar, megjithëse vazhdojnë të jenë më pak se burrat.
Në politikë, gratë përbënin 35% të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit 2025. Nga 140 deputetë gjithsej, 49 ishin gra, çka e vendos përfaqësimin e tyre në rreth një të tretën e legjislativit.
Edhe në diplomaci tabloja paraqitet e diferencuar sipas niveleve të përfaqësimit. Gjatë vitit 2025, gratë përbënin 37,5% të ambasadorëve shqiptarë. Ndërkohë, në pozicionin “Ministër Fuqiplotë”, pesha e grave ishte ndjeshëm më e lartë, duke arritur në 66,7%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë kështu një prani të rëndësishme të grave në disa prej niveleve të vendimmarrjes publike dhe ekonomike, por edhe diferenca të konsiderueshme mes sektorëve. Në sipërmarrje, gratë vazhdojnë të jenë pronare ose administratore të më pak se një të tretës së ndërmarrjeve, ndërsa hendeku është veçanërisht i madh në aktivitetet e prodhimit të të mirave.
Nga ana tjetër, pesha prej 44,8% në numrin e huamarrësve bankarë dhe përfaqësimi prej 35% në Kuvend tregojnë një pjesëmarrje më të lartë se ajo që regjistrohet në pronësinë apo administrimin e bizneseve. Shifrat e vitit 2025 sugjerojnë se rritja e rolit ekonomik të grave nuk është e njëtrajtshme: prania e tyre është më e fortë në shërbime dhe në disa nivele të administratës e diplomacisë, ndërsa mbetet dukshëm më e kufizuar në sektorët prodhues./ekofin.al
